×
  • Lajme
  • Botë

    Kina përgatit stacionin hapësinor, gati për vitin 2022

    Reporteri
    06 Maj 2020 | 14:35

    Kina po i afrohet objektivit për të pasur stacionin e vet hapësinor në vitin 2022. Një prototip kapsule për astronautët i lëshuar me sukses një ditë më parë, përmbush fazën e tretë dhe të fundit të misionit tridhjetëvjeçar të vendit.


    Kina ka lëshuar me sukses një raketambajtëse në hapësirë duke avancuar në misionin për të ngritur stacionin e vet jashtëtokësor brenda vitit 2022.

    Një gjeneratë e re rakete e komandueshme nga astronautët dhe një prototip kapsule për udhëtimin e astronautëve në orbitë dhe drejt Hënës u nisën të martën nga kozmodromi i provincës së Hainanit.

    Lëshimi i tyre në hapësirë u krye nëpërmjet raketambajtëses më të fuqishme të flotës kineze, dhe shënoi fazën e fundit të objektivit kinez për realizimin e një stacioni hapësinor.

    Dy misionet e mëhershme, që e kanë zanafillën nga viti 1992, patën për fokus dërgimin dhe rikthimin e astronautëve dhe testimin e teknikave të avancuara të komandimit të moduleve hapësinore.

    “Mendojmë se në të ardhmen do e zgjerojmë stacionin tonë, duke shtuar më shumë module. Kemi dërguar një numër të madh aparatesh eksperimentale për të studiuar jetën dhe materialet në hapësirë, mikrogravitetin,” tregon Zhou Xhianping, arkitekti i programit hapësinor kinez.

    Kina deri tani ka realizuar 16 misione madhore hapësinore, dhe në muajin korrik do përzgjidhet grupi i ri i astronautëve që do ndihmojnë në ndërtimin e stacionit hapësinor dhe instalimin e një teleskopi për vëzhgimin e zonave të kozmosit.

    Stacioni i ri është konceptuar t’i shërbejë vendit për 10 vite.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!