×
  • Lajme
  • Botë

    Kina po ua ndalon kontaktin me OBSH-në familjarëve të viktimave në Wuhan

    Reporteri
    28 Janar 2021 | 19:41

    Familjarët e viktimave të koronavirusit në Wuhan të Kinës kanë pretenduar se po përballen me presionin e Qeverisë për të heshtur, teksa një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndodhet në epiqendrën e virusit për hetime në lidhje me origjinën e pandemisë.


    Dhjetëra familjarë të viktimave janë bashkuar në platformat online, për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e Wuhanit, të cilët i fajësojnë se nuk e kanë trajtuar siç duhet situatën, kur para një viti u regjistruan rastet e para me koronavirus.

    Këta familjarë kanë pretenduar se përpjekjet e tyre për të kërkuar përgjegjësi, deri më tani janë penguar nga zyrtarët. Por, ditët e fundit, presioni ndaj tyre është rritur, në synimin e qartë për ta shmangur çdo kritikë gjatë hetimit që do të kryejë grupi i OBSH-së.

    Një grup në platformën sociale WeChat, që përdoret nga 80 deri në 100 anëtarë të familjeve të viktimave, para dhjetë ditësh është fshirë pa asnjë arsyetim, pretendojnë familjarët. Ekspertët e OBSH-së arritën në Wuhan më 14 janar dhe të enjten kanë nisur hetimin e tyre, menjëherë pas përfundimit të karantinës prej 14 ditësh.

    Shkencëtarët do të intervistojnë njerëzit nga institutet hulumtuese, spitalet dhe tregu i kafshëve që ishte përmendur si burim i nisjes së pandemisë. Hulumtimi i tyre do të varet nga dëshmitë që ofrohen nga zyrtarët kinezë. Ekipi i OBSH-së është në Kinë pas disa muajsh negociata mes OBSH-së dhe Pekinit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!