Pekini do të kundërshtojë me vendosmëri presionin e SHBA-së mbi tarifat dhe çështjen e fentanilit, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, duke shtuar se fuqitë e mëdha “nuk duhet të malterojnë ato më të dobëtat”, duke aluduar në politikën e jashtme të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Ministri Wang e prezantoi Kinën si një fuqi të besueshme globale mes trazirave gjeopolitike dhe tërheqjes së presidentit amerikan Trump nga institucionet ndërkombëtare, pjesë e thirrjes së qartë të Pekinit për Evropën dhe vendet e jugut global.
SHBA këtë javë vendosi tarifa shtesë prej 10 për qind mbi importet kineze për shkak të fluksit të vazhdueshëm të fentanilit opioid vdekjeprurës në vend, duke kërcënuar të përkeqësojë një spirale të përshkallëzuar të veprimeve tregtare. “Nëse njëra palë ushtron presion, Kina do ta kundërshtojë atë me vendosmëri”, tha ministri i Jashtëm Wang në një konferencë për shtyp në margjinat e takimit vjetor të parlamentit të Kinës.
SHBA “nuk duhet të kthejë mirësinë me ankesa, e lëre më të vendosë tarifa pa arsye”, shtoi Wang, duke iu referuar “ndihmës së ndryshme” që Pekini i ka dhënë Uashingtonit në luftimin e rrjedhës së fentanilit në SHBA.
“Ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”
Asnjë vend nuk mund të sulmojë Kinën nga njëra anë dhe të zhvillojë marrëdhënie të mira me Kinën nga ana tjetër, tha Wang, kur u pyet se si do të bashkëpunonte Kina me administratën Trump në katër vitet e ardhshme. Një qasje e tillë “e dyfishtë” nuk ndihmon marrëdhënie të qëndrueshme, tha ai, pa identifikuar asnjë individ në administratën amerikane.
Kritikat kryesisht të heshtura të Wang ndaj SHBA-së, pa përmendur Trumpin me emër, sugjerojnë se Pekini dëshiron të mbajë gjallë perspektivën e bisedimeve të mundshme të ardhshme tregtare, tha Wen-Ti Sung, një anëtar Tajvanez në Qendrën Globale të Kinës të Këshillit Atlantik.
“Ata duan të përpiqen të eksplorojnë çdo hapësirë për de-përshkallëzimin me Trump kur bëhet fjalë për tregtinë,” tha Sung. “Një mënyrë për ta bërë këtë është të mbash intensitetin retorik në një nivel të tolerueshëm për të ruajtur hapësirën për manovrim për të dyja palët.”