Volodymyr Zelenskiy, është komedian ukrainas i cili ka vendosur të kandidojë për president të Ukrainës, dhe siç duket deri tani, mund të jetë fituesi i zgjedhjeve.
Një hulumtim nga institute GQR, gjeti se kandidati Zelenskiy, ka një mbështetje prej 27.7% të votuesve Ukrainas, duke u radhitur kështu i pari nga të gjithë kandidatët e tjerë, ndërsa presidenti aktual, Petro Poroshenko ka mbështetje prej 20%.
Zelenskiy është një komedian shumë i njohur në Ukrainë, dhe një yll në programin televiziv “Shërbëtori i Popullit”. Madje në këtë serial, ai e luan rolin e një mësuesi i cili papritur bëhet president i Ukrainës, sepse ishte një person anti-korrupsion. Por siç po duket programi televiziv ngadalë e ngadalë po bëhet realitet.
Analistët politikë e vlerësojnë Zelenskiyn si një person që nuk ka një bagazh politik, por i dashur nga njerëzit. Ai ka filluar një fushatë kreative, dhe e thotë atë që e mendon, nuk ngurron.
Ndërsa në anën tjetër kundër-kandidati i tij, presidenti Poroshenko ka filluar një fushatë e cila është më shumë patriotike. Sipas analistëve, Poroshenko po tenton që të mbledh sa më shumë vota nga fjalori i tij anti-rus. Madje i pyetur se kush është armiku i tij më i madh, ai kishte deklaruar se për të është Putini.
Përndryshe Rusia ende e mban të okupuar gadishullin e Krimesë dhe rajonin e Donboskut në lindje të Ukrainës. Që nga kjo kohë ka pasur luftime të shumta mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rus.
Presidenti Rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk heq dorë nga Krimea, dhe se nëse populli i Krimesë dëshiron të jetë pjesë e Rusisë, ata nuk do ta refuzojnë një kërkesë të tillë. Ndërsa në anën tjetër Ukraina e ka cilësuar si një okupim i vendit, dhe thyerje të ligjeve ndërkombëtare.