×
  • Lajme
  • Botë

    Kremlini: Përplasja Trump-Zelensky tregon sa e vështirë është të arrihet një zgjidhje

    Reporteri
    03 Mars 2025 | 12:11

    Kremlini ka reaguar sërish për luftën në Ukrainë dhe për përplasjen mes Presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

    Sipas mediave të huaja, zëdhënësi Dmitry Peskov tha se përplasja publike e Shtëpisë së Bardhë midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyy tregoi se sa e vështirë do të jetë të arrihet një zgjidhje për luftën.

    Ai tha se liderët evropianë do të duhet të “bëjnë shumë përpjekje” me Uashingtonin për të larë “mbetjet e pakëndshme” të takimit të Zelenskyy me Trump.

    Analistët thonë se grindja publike është përdorur në mënyrë të përsosur në duart e Moskës, e cila po punon për të diskredituar Zelenskyn dhe minuar legjitimitetin e tij.

    Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se Zelenskyy kishte marrë një “shuplakë të fortë” në Uashington, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se ishte një mrekulli që Trump dhe JD Vance e kishin përmbajtur veten nga goditja e Presidentit ukrainas.

    Samiti i Londrës ‘ndihmon që lufta të vazhdojë’

    Peskov tha gjithashtu se premtimet e bëra nga liderët evropianë në samitin e djeshëm në Londër për të rritur fondet për Kievin nuk do të sjellin një fund paqësor të konfliktit.

    Ai tha se rezultatet e Samitit, duke përfshirë një marrëveshje 1.6 miliardë paund për raketat e mbrojtjes ajrore nga Britania, do të lejojnë që armiqësitë të vazhdojnë, duke shtuar se ishte kritike që Zelenskyy të detyrohet të ndryshojë pozicionin e tij dhe të kërkojë paqe.

    “Kjo qartësisht nuk ka të bëjë me një plan paqeje”, por do të lejojë “vazhdimin e armiqësive”, tha ai.

    “Çdo iniciativë konstruktive (për paqen) do të kërkohet tani. Është shumë e rëndësishme që dikush ta detyrojë vetë Zelenskyin të ndryshojë pozicionin e tij. Ai nuk dëshiron paqe. Dikush duhet ta bëjë Zelenskyin të dëshirojë paqe”, tha ai më tej.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!