Sugjerimi se SHBA mund të ‘marrë përsipër’ dhe ‘të zotërojë’ Rripin e shkatërruar të Gazës u prit me reagime nga Lindja e Mesme dhe më gjerë.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha të mërkurën se Rripi i Gazës i përket palestinezëve dhe dëbimi i tyre do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, raporton Reuters, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose ripopullohet përgjithmonë”, tha Baerbock në një deklaratë. “Është e qartë se Gaza – ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve. Ato përbëjnë bazën për një shtet të ardhshëm palestinez.”
“Kjo do të çonte gjithashtu në vuajtje të reja dhe urrejtje të re”, tha Baerbock në një deklaratë, duke shtuar: “Nuk duhet të ketë zgjidhje mbi kokat e palestinezëve”, citohet të ketë thënë ajo.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Washington, Trump deklaroi se “SHBA synon të marrë Rripin e Gazës”
Ai tha se palestinezët “nuk mund të jetojnë në Gaza tani” dhe se enklava – e cila është shkatërruar nga 15 muaj luftë midis Izraelit dhe Hamasit – mund të shndërrohet në “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Trump tha se vendimi nuk ishte i lehtë dhe pretendoi se ai kishte mbështetje të nivelit të lartë nga udhëheqës të paidentifikuar me të cilët supozohet se ka diskutuar idenë. /Reporteri.net/