Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka njoftuar sanksione kundër pesë bankave ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Bankës së Detit të Zi, pas vendimit të Putin për njohjen e dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore.
Johnson para Parlamentit britanik paralajmëroi se sanksionet do të jenë akoma më të ashpra në të ardhmen nëse Rusia vazhdon me veprime të tjera në Ukrainë, shkruan BBC, transmeton në shqip Gazeta Online Reporteri.net.
“Ne po e godasim fort (Rusinë) tani dhe do t’i godasim më fort në të ardhmen”.
“Ne do të vazhdojmë të ndëshkojmë Rusinë”, citohet të ketë thënë kryeministri britanik para deputetëve.
Kryeministri britanik i ka bërë këtë deklarata pas fjalimit të ish-udhëheqësit konservator Iain Duncan Smith i cili ka kërkuar që Rusia të goditet me sanksione të ashpra dhe kjo të ndodh tani.
Më herët, Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë. /Reporteri.net