×
  • Lajme
  • Botë

    Kryeministri i Polonisë kërkon votëbesim më 11 qershor

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 16:00

    Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë të martën se do të kërkojë votëbesim në parlament më 11 qershor, pas humbjes së Rafal Trzaskowskit në zgjedhjet presidenciale të fundjavës.

    Tusk e ka bërë të ditur këtë vendim, vetëm pak orë pas rezultateve të zgjedhjeve, duke thënë se për datën e mbajtjes së seancës është pajtuar me kryetarin e parlamentit, Szymon Holownia.

    Koalicioni i Tuskut, i qendrës së majtë, i cili ka nisur punën në fund të vitit 2023, është përballur me presion prej kur kandidati liberal, njëherësh kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski është mposhtur në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

    Zgjedhjet i ka fituar konservatori Karol Nawrocki.

    Nawrocki, i cili ka garuar në emër të partisë konservatore, Ligji dhe Drejtësia (PiS) ka fituar 50.89 për qind të votave, derisa pro-evropiani Trzaskowski, i cili pati mbështetjen e Tuskut, ka fituar 49.11 për qind të votave.

    Fitorja e Nawrockit pritet t’i komplikojë përpjekjet e Tuskut për të çuar përpara politika qeveritare pro-evropiane, pasi Nawrocki do të ketë të drejtën e vetos mbi legjislacionet.

    Në Poloni, presidenti ka mandat pesëvjeçar, përfaqëson shtetin jashtë vendit, formëson politikën e jashtme, emëron kryeministrin dhe kabinetin, si dhe shërben si komandant i përgjithshëm i ushtrisë në rast lufte.

    Presidenti në shkuarje, Andrzej Duda – i cili sikurse Nawrocki është me partinë PiS – e ka përdorur të drejtën e tij të vetos disa herë për të bllokuar agjendën qeveritare.

    Nawrocki pritet të vazhdojë me ritëm të njëjtë, ose edhe më intensiv, dhe kjo rrezikon krijimin e problemeve të brendshme brenda koalicionit qeveritar.

    Administrata e Tuskut deklaron se objektiv qendror e ka përmirësimin e dëmit të shkaktuar në fushën e sundimit të ligjit nga Qeveria e drejtuar nga partia Ligji dhe Drejtësia, e cila ka qenë në pushtet në periudhën 2015-2023, dhe e ka ndryshuar sistemin e drejtësisë në mënyra që janë parë si shumë të dëmshme për pavarësinë e gjyqësorit./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!