×
  • Lajme
  • Botë

    Kryeministrja e Tajlandës pezullohet nga detyra për një telefonatë

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 12:29

    Një bisedë telefonike i ka kushtuar postin kryeministres së Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, të paktën përkohësisht. “BBC” shkruan se Gjykata Kushtetuese e Tajlandës e ka pezulluar kryeministren Shinawatra nga detyra për shkak të bisedës së saj telefonike me ish-liderin kamboxhian Hun Sen, të publikuar në media. Ndërkohë ende po shqyrtohet nëse do të shkarkohet përfundimisht apo jo.

    Në këtë bisedë telefonike ajo e quante ish-liderin e Kamboxhias “xhaxha” ndërsa kritikonte një komandant ushtarak tajlandez. Për shkak të kësaj, kjo bisedë shkaktoi zemërim publik dhe kryeministrja u vendos nën presion për të dhënë dorëheqjen. Paralelisht një peticion u nënshkrua për shkarkimin e saj, të cilin gjykata po e shqyrton tani.

    Kjo mund ta bëjë që politikania e tretë e familjes së fuqishme Shinawatra – i cili ka dominuar politikën tajlandeze për dy dekadat e fundit – të humbasë pushtetin para se të përfundojë mandatin.
    Koalicioni i saj qeverisës tashmë ka përçarje dhe është zvogëluar, pasi një aleat kyç konservator e braktisi atë dy javë më parë.

    Gjykata Kushtetuese sipas “BBC”-së votoi 7-2 për ta pezulluar atë nga detyra, ndërsa ende po shqyrtojnë çështjen për shkarkimin e saj dhe Shinawatra ka 15 ditë për të paraqitur mbrojtjen e saj. Megjithatë, ajo do të mbetet në kabinet si ministre e kulturës, post që e mori pas një riorganizimi të kabinetit që u miratua disa orë para se ajo të pezullohej.

    Kryeministrja para se të pezullohej kërkoi përsëri falje publike të martën, duke u shprehur se qëllimi i telefonatës së saj me ish-liderin Hun Sen ishte “më shumë se 100%… për vendin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!