Vazhdimi i përmbytjeve që kanë zgjatur katër ditë mund t’i bëjë edhe më të rrezikshëm lumenjtë tashmë të fryrë, thonë parashikuesit e motit.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë britanike të Mjedisit, John Curtin, tha se pritet që moti me shira të vazhdojë, duke sjellë rreziqe të mëdha për vërshime në Midlandet Perëndimore.
Përmbytjet e pashembullta që kanë goditur Anglinë e Jugut, dhe që tani po kërcënojnë për dëme edhe në veri, nuk kanë shkatërruar vetëm shtëpi dhe prona, por edhe reputacionin e një qeverie të zgjedhur vetëm dy muaj më parë, thonë analistët.
Banorët e goditur nga përmbytjet ekstreme po kritikojnë me zemërim kryeministrin Boris Johnson, i cili nuk ka shkuar t’i vizitojë komunitetet e prekura nga stuhitë. Mijëra njerëz janë evakuuar. Megjithatë, zoti Johnson dhe ministrat e tij kryesorë nuk kanë lëvizur për t’iu gjendur pranë njerëzve të prekur.
Në komunitetet e përmbytura më rëndë është bërë e zakonshme të dëgjosh refrenin “Ku është Boris?” ashtu siç dëgjon pyetjen tjetër të zakonshme: “Si është parashikimi i motit?”
Për disa komentues, mungesa e Kryeministrit është edhe më e pashpjegueshme duke pas parasysh se kjo nuk është hera e parë që z. Johnson tregohet i ngadaltë kur bëhet fjalë për katastrofa natyrore, duke përfshirë edhe përmbytjet.
Në dhjetor, atë e fishkëllyen gjatë fushatës zgjedhore kur shkoi të vizitonte me vonesë disa komunitete të shkatërruara nga stuhia në veri të Anglisë.