×
  • Lajme
  • Botë / Vdekja e Raisit

    Kush është në krye të Iranit pas vdekjes së presidentit

    Reporteri
    20 Maj 2024 | 12:26

    Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi ka mbetur i vdekur pas rrëzimit të helikopterit, duke hapur rrugë për zgjedhjet e reja presidenciale në Republikën Islamike, vlerëson BBC në një raport.

    Mirëpo vdekja e papritur e klerikut ekstrem nuk pritet të ketë ndikim të madh në politikën e Iranit, sidomos kur krejt pushtetin e ka lideri suprem i shtetit.

    Çfarë do të ndodhë në Iran?

    Kushtetuta e Iranit është shumë e drejtpërdrejt kur bëhet fjalë për presidentin nëse nuk është i aftë për kryerjen e detyrave shkaku i sëmundjes, vdekjes ose shkarkimit nga parlamenti, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Pas vdekjes së Raisit, lideri suprem Ajetollah Ali Khamenei emëroi zëvendëspresidentin e parë Mohammad Mokhber për t’i prirë shtetit.

    Mokhber do të organizojë zgjedhjet për presidentin e ri – duke bashkëpunuar me kryetarin e parlamentit dhe të gjyqësorit – për të mbajtur ato brenda 50 ditësh.

    Në zgjedhjet e fundit, të gjithë garuesve më seriozë për presidenti iu ndalua gara, duke i hapur rrugë Raisit që të pranonte punën ani pse kishte numër të ulët të votuesve.

    Shumica bojkotoi zgjedhjet të cilat dukeshin se ishin të manipuluara.

    Pushteti i liderit suprem

    Figura më e fuqishme në Iran është Ajetollahu Khamenei, i cili është lider suprem që prej vitit 1989.

    Ai është kryekomandant i shtetit.

    Gjithashtu ka autoritet mbi policinë kombëtare dhe policinë e moralitetit.

    Ajetollahu kontrollon Gardën Revolucionare Islamike që është në krye të sigurisë dhe krahun vullnetar Forcën rezistente Basij, i cili është përdorur për të përndjekur disidentët në Iran.

    Pushteti i presidentit

    Presidenti është i zgjedhuri me vota dhe i dyti në pushtet pas liderit suprem.

    Ai është përgjegjës për punën e përditshme të qeverisë dhe ka ndikim të madh në politikat e brendshme dhe të jashtme.

    Mirëpo, pushteti i tij është relativisht i kufizuar, sidomos në çështjet e sigurisë.

    Ministria e brendshme kontrollon forcën kombëtare policore. Mirëpo komandanti i saj zgjidhet nga lideri suprem dhe i përgjigjet direkt atij.

    E njëjta gjë vlen edhe për Gardën Revolucionare Islamike dhe Basij.

    Pushteti i presidentit gjithashtu kontrollohet nga parlamenti që miraton ligjet.

    Ndërkaq, Këshilli i Gardës, i cili përbëhet nga aleatët e liderit suprem, ka për detyrë që të miratojë ligjet dhe mund t’u vë veto ligjeve.

    Sfidimi i shtetit

    Republika Islamike ishte lëkundur nga vala e protestave masive në vitin 2022 pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në duart e policisë së moralitetit. Ajo ishte arrestuar me arsyetimin se nuk po mbante shaminë siç duhet.

    Grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se qindra njerëz janë vrarë në përpjekje për të shtypur këto protesta. Mijëra të tjerë janë arrestuar.

    Policia e moralitetit

    Policia e moralitetit – ose patrullat e udhëzimit – janë pjesë e policisë kombëtare.

    Forca u themelua në vitin 2005 për të mbajtur moralin islamik dhe ligjet në përputhje me identitetin pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

    Kush është Garda Revolucionare?

    Garda është organizata kryesore e mirëmbajtjes së sigurisë dhe tani është forca më e madhe ushtarake, politike dhe ekonomike e Iranit. Ka më shumë se 150 mijë anëtar.

    Me forcat tokësore, detare dhe ajrore, mbikëqyr armët strategjike të Iranit.

    Gjithashtu ka forcën e jashtme të quajtur Quds që ofron para, armë dhe teknologji për grupet terroriste nëpër Lindjen e Mesme.

    Gjithashtu kontrollon forcën Basij.

    Çfarë janë forcat Basij?

    Forcat Basij, zyrtarisht njihen si Organizata për Mobilizim për Shtypje, e formuar në vitin 1979 si organizatë paramilitare.

    Kjo forcë shërben në të gjitha qytetet e Iranit. Përbëhet nga lojalistë të revolucionit. Besohet se ka rreth 100 mijë pjesëtarë.

    Ka shtypur të gjitha protestat kundër qeverisë që prej vitit 2009./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!