Krizës aktuale nuk i shpëton pothuajse askush. Rënia e konsumit dhe mbyllja e ekonomive në pothuajse çdo vend të botës do të shkaktojë humbje të mëdha për kompanitë nga të gjitha degët e ekonomisë. Sidoqoftë, ka disa që akoma fitojnë para.
Sipas mediave ndërkomëbare, Amazon dhe pronari i saj, Jeff Bezos janë përfituesit kryesorë në këtë krizë. Aksionet e kompanisë ishin në kulmin e tyre historik këtë të martë. Gjatë karantinës, njerëzit ulen në shtëpi duke porositur mallra në internet, dhe Amazon është një lojtar kryesor në këtë treg, raporton Reporteri.net.
Meqenëse nuk ka shumë ide për rritje, tregtarët dhe investitorët blejnë në mënyrë aktive aksione në këto kompani. Kjo ka bërë që pasuria e Bezos të arrijë në 138.5 miliardë dollarë.
Shumë kompani të fuqishme botërore pësuan rënie të vlerës deri në 20 për qind, por jo edhe Amazon.
Përveç kompanisë Amazon, është edhe kompania tjetër amerikane, ajo Netflix që ka rritur ndjeshëm vlerën e aksioneve. Njerëzit, ndërsa janë në shtëpi janë të lumtur të shikojnë seriale dhe filma. Në përgjithësi, ndërmarrjet e mëdha të teknologjisë së lartë amerikane nuk ndjehen keq, megjithëse kapitalizimi i tyre është nën vlerën e tyre maksimale deri më tani.
Google si një kompani ndër më të fuqishmet në botë, gjithashtu ka pasur një rënie të ndjeshme të reklamave.
Ekonomia kineze tani po del nga karantina dhe po kthehet në normalitet. Kina konsiderohet një fabrikë në të gjithë botën që eksporton gjithçka nga gjilpëra deri te lokomotivat, pothuajse në të gjithë botën, por tani nuk ka ku të tregtojë mallrat e saj. Dhe nëse kinezët rikthejnë ritmin e prodhimit nga para krizës, ato nuk e kanë të garantuar se produktet e tyre do të mund t’i shesin kudo nëpër botë. /Reporteri.net