×
  • Lajme
  • Botë / Rrëzimi i Qeverisë

    Macron nis takimet për emërimin e kryeministrit të ri

    Reporteri
    05 Dhjetor 2024 | 18:00

    Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi të enjten takime me aleatë dhe politikanë, për emërimin e një kryeministrit të ri, një ditë pasi ligjvënësit e krahut të djathtë të skajshëm dhe ata të krahut të majtë rrëzuan qeverinë e kryeministrit Michel Barnier.

    Gazeta “Le Parisien” dhe media të tjera, njoftuan për një drekë mes Presidentit Macron dhe Francois Bayrou, emri i të cilit është përmendur në shtyp si një pasardhës i mundshëm i zotit Barnier. Bayrou është politikan i qendrës dhe një aleat i ngushtë i Presidentit Macron.

    Ministri në largim i Mbrojtjes Sebastien Lecornu po ashtu është përmendur si një kandidat i mundshëm për kryeministër. Deri tani nuk ka patur njoftim për një takim mes tij dhe Presidentit Macron.

    Tre burime i thanë agjencisë Reuters se Presidenti Macron synon të emërojë një kryeministër të ri brenda një kohe të shkurtër. Njëri prej burimeve tha se ai planifikon ta emërojë kryeministrin e ri para ceremonisë për rihapjen e Katedrales së Notre-Damit të shtunën. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump pritet të marrë pjesë në atë ceremoni.

    Presidenti Macron pritet t’i drejtohet sot me një fjalim kombit, ndërsa do të takohet edhe me udhëheqësin e Senatit.

    Barnier, një konservator, i cili u emërua kryeministër rreth 3 muaj më parë, do të bëhet kryeministri më jetëshkurtër në historinë moderne amerikane kur Presidenti Macron të miratojë dorëheqjen e tij.

    Ata u takuan për më shumë se një orë mëngjesin e të enjtes, njoftoi media franceze. Pritej që kryeministri Barnier të dorëzonte dorëheqjen gjatë takimit, por nuk pati një konfirmim zyrtar pasi ai la pallatin presidencial.

    Të mërkurën, ligjvënësit e opozitës rrëzuan qeverinë e Francës, duke thelluar krizën politike në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në Bashkimin Evropian.

    Ligjvënësit e krahut të djathtë të skajshëm dhe ata të krahut të majtë u bashkuan në mbështetje të një mocioni mosbesimi kundër Kryeministrit Michel Barnier dhe qeverisë së tij. Shumica e ligjvënësve, me 331 vota përkrahën mocionin.

    Trazirat politike në Francë do të dobësojnë edhe më shumë Bashkimin Evropian, i cili po përballet edhe me shpërbërjen e koalicionit qeverisës në Gjermani pak javë para se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!