Mbi 40 emigrantë nga shtetet veriafrikane u shpëtuan teksa rrezikonin jetën duke lundruar ilegalisht në ujërat e Mesdheut. Italia dhe Malta kanë kërkuar një zgjidhje mbareuropiane për krizën e emigracionit. Papa Françesku kërkon që emigrantët të mos shihen thjesht si një problem social apo emigrimi, por si qenie njerëzore.
Numri i emigrantëve afrikanë që tentojnë t’i shmangen krizave në vendet e tyre nëpërmjet lundrimit me det drejt Evropës sa vjen e shtohet.
44 persona që udhëtonin me anije druri nga Libia në ujërat e Detit Mesdhe u evakuuan të hënën nga misioni humanitar gjerman, “Si-Aj”.
Mjeti lundrues po pluskonte prej ditës së shtunë për inerci mbi ujërat detare pasi kishte konsumuar tërë karburantin.
Italia si edhe në muajt e fundit refuzoi zbarkimin e refugjatëve në portet e veta, duke detyruar ndërhyrjen e flotës ushtarake të Maltës.
Të dielën, autoritetet malteze pranuan 65 emigrantë të tjerë të shpëtuar me anijen “Alan Kurdi”, dhe që pritet të transferohen nëpër disa vende europiane.
Kryediplomatët e Italisë dhe Maltës kanë kërkuar ngritjen e një mekanizmi mbareuropian që të trajtojë të gjitha pikëpyetjet rreth emigracionit.
Në një meshë me dyer të mbyllura, Papa Françesku tha të hënën se emigrantët nuk janë thjesht një problem social, por janë qenië njerëzore dhe simbol i atyre që sot mohohen nga shoqëria e globalizuar.
Përpara emigrantëve afrikanë, vullnetarëve dhe përfaqësuesve të grupeve kishtare, ai kërkoi bashkëpunim dhe përgjegjësi politike.
Autoritetet e shtetit verafrikan të Marokut raportojnë se nga fillimi i vitit, rreth 25 mijë emigrantë nga vendet subsahariane janë ndalur në përpjekjen për të udhëtuar nëpërmjet detit drejt Europës.