×
  • Lajme
  • Botë

    Marrëveshja e kryeministres May refuzohet sërish nga shumica e deputetëve

    Reporteri
    29 Mars 2019 | 16:14

    Deputetët e Britanisë së Madhe e kanë refuzuar përsëri marrëveshjen e kryeministres May për largim të këtij shteti nga Bashkimi Evropian, pavarësisht premtimit të saj se ajo do të japë dorëheqje në rast se marrëveshja dështon. Marrëveshjen e përkrahën 286 deputetë, ndërsa e kundërshtuan 344 të tjerë.

    Dështimi i kalimit të marrëveshjes ndodhi pasi laburistët nuk treguan vullnet për ta ndryshuar qëndrimin e tyre dhe për shkak të mungesës së përkrahjes nga dhjetë deputetët e Unionit Demokratik.

    May kishte kërkuar vazhdimisht mbështetje të marrëveshjes së saj nga deputetët e Partisë Laburiste, duke thënë se ajo ishte rruga e vetme për ta garantuar Brexit-in dhe shmangien e “skajit të shkëmbit” pas dy javësh.

    “Kur kambana e ndarjes të bie pas pak çastesh, secili nga ne duhet të shikojë në zemër për të vendosur për atë që është e duhur për vendin tonë”, tha ajo para deputetëve.

    Në anën tjetër, udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, e akuzoi kryeministren May për paraqitjen e një marrëveshjeje gjysmë të pjekur, të cilën laburistët nuk mund ta mbështesin.

    Procesi i votimit u mbajt pikërisht në ditën që më parë ishte e planifikuar për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, shkruan “The Guardian”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!