×
  • Lajme
  • Botë

    Merz nga Washingtoni për luftën në Ukrainë: Shumë e komplikuar, nuk jam optimist se do të ndryshoj diçka brenda natës

    Reporteri
    06 Qershor 2025 | 9:28

    Gjatë takimit të tij të parë me presidentin amerikan Donald Trump, Kancelari gjerman Friedrich Merz u mundua ta bindi Trumpin se ai ishte personi kyç për të përfunduar luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Ai në një intervistë për DW ka treguar se çka ka folur me presidentin amerikan.

    Merz tha se Me Trump folën për tregtinë, tarifat dhe për Ukrainën.

    N”ë të vërtetë, ne folëm intensivisht për disa çështje. Një prej tyre ishte Ukraina dhe kjo luftë e tmerrshme nga Rusia kundër Ukrainës. Folëm për tregtinë, për tarifat. Nuk ishte pritshmëria ime që presidenti të merrte sot një vendim të ri. Por argumentova dhe përpiqem ta bind atë që tani kemi detyrimin të ushtrojmë më shumë presion ndaj Rusisë për të përfunduar këtë luftë. Por, nga ana tjetër, e di që kjo është një çështje shumë e komplikuar. Edhe këtu në SHBA, kemi këtë debat të fortë në Senat. Jam optimist, por nuk jam aq optimist sa të parashikoj që do të ndryshojë brenda natës diçka në territorin e Ukrainës”, tha Merz.

    Merz foli edhe për qëndrimin e Trumpit karshi luftës në Ukrainë.

    “Ai po sheh që nismat e tij të javëve të fundit nuk patën sukses dhe se presidenti Putin duket se nuk është i gatshëm të ndalë këtë luftë. Kjo ndodh pavarësisht bisedës shumë të gjatë telefonike që kishin pasur dje. Pra, ne po flasim për instrumente, për atë që mund të bëjmë së bashku, Bashkimi Evropian me Gjermaninë dhe SHBA nga kjo anë e Atlantikut. Nuk kam një përgjigje sot, por jam i sigurt që ai po mendon se çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe ia kujtova se SHBA gjithmonë ka luajtur rolin global për të ushtruar presion ndaj atyre që janë në luftë. Dhe nesër është 6 qershori, i njohur si Dita D, kur amerikanët pushtuan Evropën në vitin 1944 për të ndaluar luftën në Evropë. Kjo mund të jetë një situatë historike e ngjashme, jo me veprime ushtarake, por me presion ndaj Rusisë për të ndaluar këtë luftë”, tha Merz.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!