Grimcat mikroplastike janë zbuluar në placentat e foshnjave të palindura, çka për studiuesit po paraqet një shqetësim të madh, ndonëse ndikimi shëndetësor i mikroplastikës në trup është ende i panjohur.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se ato mund të përmbajnë kimikate që mund të shkaktojnë dëmtime afatgjata ose të prishin sistemin imunitar në zhvillim të fetusit. Grimcat ka të ngjarë të jenë konsumuar ose marrë me frymë nga nënat, transmeton Reporteri, shkrimin e The Guardian.
Grimcat u gjetën në placentën e katër grave të shëndetshme që kishin shtatzëni dhe lindje normale. Mikroplastikat u zbuluan në të dy anët e fetusit të nënës dhe në membranën brenda së cilës zhvillohet fetusi.
Të gjitha grimcat e analizuara ishin plastike që kishin ngjyrë blu, të kuqe, portokalli ose rozë dhe mund të kenë ardhur fillimisht nga paketimet, bojërat ose produktet kozmetike dhe produktet e kujdesit personal.
Mikroplastikat ishin kryesisht me madhësi 0,01 mm, që do të thotë se ato janë aq të vogla sa të barten në qarkullimin e gjakut. Grimcat mund të kenë hyrë në trupat e foshnjave, por studiuesit ende nuk ishin në gjendje të jepnin detaje se si ka ndodhur saktësisht kjo.
Në studimin, botuar në revistën Environment International, studiuesit arritën në përfundimin se “Për shkak të rolit vendimtar të placentës në mbështetjen e zhvillimit të fetusit dhe në veprimin si një ndërfaqe me mjedisin e jashtëm, prania e grimcave plastike potencialisht të dëmshme është çështje e shqetësim i madh. Studime të mëtejshme duhet të kryhen për të vlerësuar nëse prania e mikroplastikave mund të shkaktojë përgjigje imune ose mund të çojë në çlirimin e ndotësve toksikë, duke rezultuar në dëme të mëtutjeshme”. /Reporteri.net