×
  • Lajme
  • Botë

    “Na kushtojnë 2 cent”, Trump urdhëron ndalimin e prodhimit të monedhave 1 cent

    Reporteri
    10 Shkurt 2025 | 10:31

    Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka urdhëruar Departamentin e Thesarit të ndalojë prodhimin e monedhave të reja 1 cent, duke evidentuar rritjen e kostove të prodhimit si arsye kryesore.

    “Për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar monedha 1 cent që na kushtojnë fjalë për fjalë mbi 2 cent. Kjo është e kotë!”, shkroi Trump në një postim në platformën “Truth Social”.

    “Kam udhëzuar Sekretarin e Thesarit të SHBA-së që të ndalojë prodhimin e tyre”, nënvizoi Presidenti.

    Kjo lëvizje e Trump është pjesë e një sërë veprimesh të administratës së tij të re për të zbatuar ndryshime rrënjësore përmes urdhrave ekzekutivë në fusha të ndryshme, nga politikat e imigracionit dhe gjinisë dhe diversitetit deri tek riemërtimi i Gjirit të Meksikës.

    Sipas Associated Press, Trump nuk e kishte përmendur gjatë fushatës së tij zgjedhore synimin e tij për të shfuqizuar monedhën 1 cent.

    Megjithatë, “ministria” e Elon Musk që synon përmirësimin e efikasitetit në qeverinë amerikane propozoi idenë në një postim në X muajin e kaluar, duke vendosu theksin te kostoja e prodhimit të kësaj monedhe të veçantë.

    Mint e SHBA regjistroi një humbje prej 85.3 milionë dollarësh në vitin fiskal 2024, në rreth 3.2 miliardë monedha 1 cent të prodhuara. Secila prej tyre kushtoi pothuajse 0,037 dollarë, ndërsa vitin e kaluar kostoja ishte 0,031 dollarë.

    Humbje janë regjistruar edhe në prodhimin e monedhës 5 cent, pasi çdo monedhë kushton rreth 0,14 dollarë për t’u prodhuar. Siç thekson Agjencia Amerikane, nuk është e qartë nëse Trump ka autoritetin për të shfuqizuar në mënyrë të njëanshme prodhimin e monedhës 1 cent.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!