Lideri opozitar rus është dënuar me tre vjet e gjysmë burgim lidhur me rastin e 2014-s. Gjykata ka vendosur të martën se ai ka shkelur kushtet dhe ka urdhëruar që dënimi i tij i pezulluar të zëvendësohet me burgim. Gjykatësi ka marrë në konsideratë 11 muajt që Navalny veçse i ka kaluar në arrest shtëpiak
Një gjykatë në Moskë e ka dërguar Alexei Navalnyn me burg për më shumë se dy vjet e gjysmë, të martën, duke e përmbyllur procesin e tensionuar të dëgjimit në të cilin kritiku i Kremlinit i talli pretendimet se ka shkelur kushtet e lirimit të tij me kusht sa ishte në gjendje kome dhe e denoncoi liderin rus si “Putin burgosësi”.
Vendimi pritet që të ndezë zemërimin mes mbështetësve të Navalnyt, teksa me dhjetëra mijëra rusë kanë vërshuar rrugët për të protestuar për dy javë radhazi për lirimin e tij. Aleatët e tij tashmë kanë bërë thirrje për demonstrata të reja mbarëkombëtare gjatë fundjavës.
Navalny ishte arrestuar dy javë më parë me t’u rikthyer në Moskë nga Berlini, i akuzuar për mosrespektimin e lirimit me kusht në kuadër të dënimit të pezulluar të 2014-s për përvetësim fondesh – një rast ky të cilin ai e cilësoi si politikisht të motivuar.
Navalny tani është dënuar me tre vjet e gjysmë burgim lidhur me rastin e 2014-s. Gjykata ka vendosur të martën se ai ka shkelur kushtet dhe ka urdhëruar që dënimi i tij i pezulluar të zëvendësohet me burgim. Gjykatësi ka marrë në konsideratë 11 muajt që Navalny veçse i ka kaluar në arrest shtëpiak.
Duke qenë një halë e përhershme në syrin e presidentit Vladimir Putin, Navalny ka kaluar pesë muaj në Gjermani për t’u trajtuar nga helmimi me agjentin nervor Novichok, para se të kthehej në vend më 17 janar. Ai ka akuzuar shërbimet ruse të sigurisë dhe Putinin për sulmin ndaj tij, mirëpo Kremlini i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza.
Opozitari ishte arrestuar dhe burgosur disa herë, por deri më tani ka shmangur dënimet e gjata kohore. Derisa po trajtohej në Gjermani, autoritetet ruse e kishin kërcënuar tërë kohës me burgim po qe se kthehet në vend. Ekipi i tij mbrojtës në Moskë ka kritikuar vendimin si “hakmarrje personale” të Putinit dhe ka thirrur përkrahësit për t’u mbledhur në sheshin “Manezhnaya” afër Kremlinit.
“Kjo është hakmarrja personale e Vladimir Putinit për hetimin e korrupsionit, për këndelljen pas helmimit, për ekspozimin e vrasësve të FSB-së, por që nuk pati frikë dhe u kthye në Rusi”, ka bërë të ditur ekipi i tij nëpërmjet një postimi në Twitter.
Verdikti ka nxitur reagim edhe jashtë vendit. Sekretari amerikan i Shtetit, Tony Blinken, i ka bërë thirrje Qeverisë ruse që “ta lirojë menjëherë dhe në mënyrë të pakushtëzuar” Navalnyn. Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore kanë adresuar thirrje të ngjashme.
Teksa po e dëgjonte shqiptimin e verdiktit, Navalny u tall me pretendimin se do të mund t’i informonte më mirë zyrtarët e mbikëqyrjes së dënimit të tij me kusht rreth vendndodhjes sa ishte në gjendje kome, me ç’rast gjykatësi kryesues ia tërhiqte vazhdimisht vërejtjen për t’u ndalur së foluri dhe kundërshtuari të prokurorëve.
“A mund të më shpjegoni se si ndryshe supozohej që t’i përmbushja kushtet e lirimit tim me kusht dhe të raportoja se ku jam?”, ka pyetur ai. Ndërkaq trupi gjykues i tha se mund të ofronte dokumente shpjeguese për arsyet. “Nga koma?”, iu përgjigj Navalny. “Pse rrini këtu dhe i thoni gjykatës se nuk e keni ditur ku isha? Isha në gjendje kome, pastaj në përkujdesje intensive dhe mandej në rehabilitim. E kisha kontaktuar avokatin për t’ju njoftuar. I kishit adresën dhe të dhënat e kontaktit. Çfarë tjetër duhej të bëja?”, tha ai.
Pas kësaj, Navalny e përshkroi Putinin si “një hajdut të vogël të mbërthyer në bunkerin e tij” që “nuk dëshiron të më shohë të shkel këmbë në Rusi”.
Një hulumtim i agjencive CNN-Bellingcat kishte treguar në dhjetor se Shërbimi Rus i Sigurisë (FSB) ishte përfshirë drejtpërsëdrejti në helmimin e Navalnyt.