×
  • Lajme
  • Botë

    Netanyahu thotë se bisedoi me Trumpin për “kërcënimin” nga Irani

    Reporteri
    10 Nëntor 2024 | 17:40

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka biseduar me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tri herë gjatë ditëve të fundit për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për “kërcënimin iranian” ndaj sigurisë së Izraelit, tha zyra e Netanyahut të dielën.

    “Në ditët e fundit, kam biseduar tri herë me presidentin e zgjedhur Donald Trump…për thellimin e aleancës së fuqishme mes Izraelit dhe SHBA-së”, tha Netanyahu, sipas zyrës së tij.

    “Ne pajtohemi për kërcënimin iranian në çdo aspekt”, shtoi ai, sipas njoftimit.

    Uashingtoni është aleati kryesor i Izraelit dhe mbështetësi më i madh ushtarak.

    Zgjedhjet në SHBA u mbajtën në një kohë kritike për Lindjen e Mesme, ku Izraeli është duke kryer luftë në Gazë dhe në Liban.

    Analistët besojnë se Netanyahu kishte shpresuar në kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, duke ditur miqësinë e kamotshme personale mes tyre, si dhe duke e parë qëndrimin e ish-presidentit karshi armikut të përbetuar të Izraelit, Iranit.

    Gjatë mandatit të parë, Trumpi e zhvendosi Ambasadën amerikane në Jerusalem, e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e okupuara të Golanit, si dhe i ndihmoi Izraelit t’i normalizojë marrëdhëniet me disa shtete arabe bazuar në të ashtuquajturat Akordet e Abrahamit. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!