×
  • Lajme
  • Botë / OBSH

    Një sëmundje misterioze shkakton vdekjen e 50 personave në Kongo

    Reporteri
    25 Shkurt 2025 | 20:39

    Një sëmundje e panjohur ka shkaktuar vdekjen e 50 personave në pjesën veriperëndimore të Kongos, sipas mjekëve që ishin në terren si dhe njoftimeve që i bëri të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Intervali kohor mes shfaqjes së simptomave të para dhe vdekjes ishte 48 orë në shumicën e rasteve dhe “kjo është shumë shqetësuese”, tha drejtori i spitalit rajonal ‘Bikoro’, Serge Ngalebato.

    Sëmundja misterioze u shfaq më 21 janar në Republikën Demokratike të Kongos duke regjistruar 419 raste, nga të cilët 53 persona kanë humbur jetën.

    Sipas zyrës së OBSH-së për Afrikën, shpërthimi i parë i sëmundjes u regjistrua në qytetin Boloko pasi tre fëmijë, që kishin ngrënë një lakuriq, vdiqën brenda 48 orëve nga simptomat e etheve hemorragjike.

    Për një kohë të gjatë ka patur shqetësime për bartjen e sëmundjes nga kafshët tek njerëzit në ato vende ku njerëzit ushqehen me kafshët e egra. Numri i sëmundjeve të tilla në Afrikë është rritur në mbi 60 për qind gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të vitit 2022 të OBSH-së.

    Pas shpërthimit të dytë të kësaj sëmundje të mistershme në qytetin Bomate më 9 shkurt, mostrat nga 13 raste u dërguan për prova laboratorike në Institutin Kombëtar për Hulumtime Biomjekësore në Kinshasa, kryeqytetin e Kongos.

    Të gjitha mostrat treguan se nuk bëhej fjalë për sëmundjen e Ebolës apo sëmundje të tjera që shoqërohen me simptoma të etheve hemorragjike, sikurse sëmundja Marburg. Por disa teste rezultuan pozitive për infektim të mundshëm me malarie./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!