Joe Biden ka përzgjedhur senatoren e Kalifornisë Kamala Harris si kandidate për nën presidente në zgjedhjet e 3 nëntorit. Përzgjedhja e Biden ka bërë bujë në mediat amerikane pasi senatorja ka qenë një ish rivale e Biden për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Ajo e ka kritikuar jo në pak raste demokratin Biden. Megjithatë senatorja u kthye në një zë të fortë e mbështetës ndaj tij.
Kamala Harris është 55 vjeçe, gruaja e parë me ngjyrë dhe me origjinë indiane e cila nominohet për postin në zyrën kombëtare nga një parti e madhe. Ajo lindi në Oakland të Kalifornisë nga dy prindër emigrantë, nëna me origjinë indiane dhe babai me origjinë nga Xhamajka.
Kamala është e martuar me avokatin Douglas Emhoff.
Po ashtu Kamala është gruaja e katërt në histori që zgjidhet për të qenë pjesë e presidencës. Stili i garës dhe fushatës së Harris komentohet si më i fuqishëm nga ai i Biden, kjo për shkak të aftësive të saj në debatet politike, po ashtu identiteti i saj dhe historia familjare që shumë e konsiderojnë frymëzuese.
Teksa e zgjedh si partneren e saj politike, Biden mund të jetë duke vulosur për katër ose 8 vite 55 vjeçaren si drejtuese de fakto të partisë.
Presidenti Donald Trump, reagoi shumë shpejt me një video të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ku thuhet se Kamala Harris kandidoi për postin e presidentit (në garën brenda Partisë Demokrate) duke mbështetur të majtën radikale dhe se amerikanët e hodhën poshtë kandidaturën e saj.
Joe Biden po ia jep frenat në dorë Kamalës, ndërsa të dy ata përqafojnë të majtën radikale. Joe i ngadaltë dhe Kamala hipokrite: të përkryer së bashku, të gabuar për Amerikën”, shkruhet në videon e Trump.