Laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus është zgjedhur për të udhëhequr qeverinë e përkohshme të Bangladeshit pasi ish-kryeministrja e vendit Sheikh Hasina dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi pas disa javësh trazirash të dhunshme, shkruan BBC, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Yunus e quajti ditën e largimit të zonjës Hasina si “ditën e dytë të çlirimit” të Bangladeshit.
Pra, çfarë dimë për 84-vjeçarin laureat të Nobelit?
Yunus lindi në një familje tregtarësh myslimanë në qytetin bregdetar të Bangladeshit, Chittagong.
Në moshën 25-vjeçare ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për të studiuar nën një bursë Fulbright dhe u kthye në Bangladesh në vitin 1971 – në të njëjtin vit që vendi fitoi pavarësinë nga Pakistani në një luftë brutale dhe të përgjakshme.
Pas kthimit të tij, z. Yunus u zgjodh në krye të departamentit të ekonomisë të Universitetit Chittagong dhe shpejt u përfshi me pasion në luftimin e urisë që shkatërroi Bangladeshin në mesin e viteve ’70.
“Unë u përfshiva në çështjen e varfërisë jo si politikëbërës apo studiues,” tha ai në një leksion të vitit 2005 në Institutin Commonwealth në Londër.
“U përfshiva sepse varfëria ishte gjithandej rreth meje”, shtoi ai.
Në një intervistë të vitit 2002 me BBC, ai e përshkroi mikrokredinë si një “nevojë të njerëzve”.
“Sido emër që t’i jepni, duhet t’i keni ato lehtësira financiare, sepse është krejtësisht e padrejtë… të mohoni gjysmën e popullsisë së shërbimeve financiare botërore,” tha ai.
Skema e Yunus ishte aq e suksesshme sa që edhe lypësit kishin mundur të merrnin para hua sipas skemës së tij.
Yunus dhe Banka Grameen u nderuan me Çmimin e Paqes në vitin 2006 për punën e tyre për “krijimin e zhvillimit ekonomik dhe social nga poshtë”, sipas faqes së internetit të Çmimit Nobel. Megjithatë, disa analistë kanë kritikuar konceptin e institucioneve mikro-financiare, duke thënë se ato ngarkojnë norma të larta interesi dhe përdorin metoda shtrënguese të mbledhjes së borxhit.
Akuza dhe fushata shpifjesh
Yunus ka përballuar një stuhi armiqësie dhe polemikash në Bangladesh, duke përfshirë edhe znj. Hasina, udhëheqësen që ai tani do të zëvendësojë. Hasina e akuzoi keq Yunus se “thith gjak nga të varfërit” dhe në vitin 2011 qeveria e saj e largoi atë nga posti i kreut të Grameen Bank.
Në vitin 2013, ai u përball me një fushatë shpifjeje të mbështetur nga shteti që e akuzoi atë se ishte jo-islamik dhe promovonte homoseksualitetin, pasi nënshkroi një deklaratë të përbashkët duke kritikuar ndjekjen penale të homoseksualëve në Ugandë.
Në janar të këtij viti ai u dënua me gjashtë muaj burg për shkelje të ligjit të punës, të cilin ai e mohoi, ndërsa në qershor ai dhe 13 të tjerë u akuzuan për përvetësim. Ndonëse që atëherë iu dha lirimi me kusht, ai tani përballet me më shumë se 100 raste në lidhje me shkeljet e punës dhe akuzat për korrupsion.
Ai ka mohuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se sulmet kundër tij janë të motivuara politikisht.
/Reporteri.net/