Ka nisur numërimi i votave në zgjedhjet në SHBA.
Kandidati republikan Donald Trump është në epërsi në shtetet e Kentuckyt dhe Indianas, ani pse është faza e hershme e numërimit të votave, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas rezultateve të para në hartën elektorale Trumpi po siguron 19 votat e para të kolegjit elektoral, ndërkaq Kamala Harris tri.
Trump po prinë në Indiana dhe Kentucky, që njihen si shtete që tradicionalisht mbështesin kandidatët republikanë në presidenciale.
Ndërsa, Harris ka marrë 3 votat elektorale në Vermont, shtet i cili tradicionalisht mbështet bindshëm kandidatët demokratë.
Në orën 20:00, sipas kohës lokale në SHBA, të gjitha vendvotimet do të mbyllen në gjysmën e shteteve të vendit: Alabama, Connecticut, Delaware, Florida, Xhorxhia, Indiana, Illinois, Kentucky, Maine, Maryland, Massachusetts, Mississippi, Missouri, New Hampshire, New Jersey, North Carolina, Ohio, Oklahoma, Pensilvania, Rhode Island, Karolina e Jugut, Tenesi, Vermont, Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore.
Qendrat e votimit qëndrojnë të hapura më vonë në Alaskë, ku do të mbyllen në orën 1 të mëngjesit.
Që nga e marta, mbi 82 milionë fletë votimi u hodhën përpara ditës së zgjedhjeve, që është pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet presidenciale katër vite më parë.
Megjithatë, për rezultatet në shumë prej atyre shteteve do të duhen orë, nëse jo ditë, për t’u shpallur.
Zgjedhjet presidenciale pritet të përcaktohen nga rezultate në disa shtete të fushëbetejës elektorale.
Kërcënime të rreme për bomba iu bënë qendrave të votimit në tre prej shteteve të pavendosura – në Xhorxhia, Miçigan dhe Wisconsin, tha FBI-ja të martën. Sipas FBI-së, shumë prej kërcënimeve duket se e kanë origjinën nga adresa ruse të postës elektronike.