×
  • Lajme
  • Botë

    OBSH-ja kërkon të lejohet hyrja e kamionëve me ndihma mjekësore në Gazë

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 20:09

    Një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dënoi të hënën faktin që asnjë nga kamionët e agjencisë me ndihma mjekësore nuk u lejua të hynte në Rripin e Gazës që nga përfundimi i bllokadës nga Izraeli.

    Ndihma humanitare ka filluar të depërtojë sërish në territorin palestinez gjatë ditëve të fundit, pas më shumë se dy muajsh me qasje të bllokuar.

    Por, për më shumë se 11 javë, “nuk ka pasur asnjë kamion të OBSH-së që ka hyrë në Gazë për mbështetje në kujdesin mjekësor”, tha drejtoresha rajonale për Mesdheun Lindor e OBSH-së, Hanan Balkhy, gjatë një konference për media në Gjenevë.

    “Situata është shkatërruese. Ne jo vetëm që jemi të shqetësuar për punën që po mbështesim, dhe dëshirojmë e shpresojmë të vazhdojmë ta mbështesim popullin, por jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për pasojat e kësaj”, tha ajo, duke përmendur ndikimin për brezat që do të vijnë.

    Izraeli ka intensifikuar një ofensivë të re për ta shkatërruar grupin militant Hamas – të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – duke nxitur dënime ndërkombëtare për bllokadën që ka filluar në mars dhe që ka shkaktuar mungesa të rënda ushqimore dhe mjekësore.

    “Rreth 400 kamionë kanë marrë dritën e gjelbër për të hyrë në Gazë… por furnizime nga vetëm 115 kamionë kanë arritur të kalojnë – dhe asgjë nuk ka arritur në veriun e rrethuar,” tha Balkhy, duke shtuar se asnjëri prej tyre nuk ishte i OBSH-së.

    Ajo tha se 51 kamionë me pajisje mjekësore ndodheshin në pritje për të kaluar kufirin.

    Ahmed Zouiten, drejtori për emergjenca i rajonit të OBSH-së, tha se ai shpresonte që ishte vetëm çështje kohe para se kamionët e agjencisë shëndetësore të OKB-së të mund të hynin në territor.

    Por, ai tha se ishte “shumë herët për ne ta dimë” nëse ata do të kalonin së shpejti apo nëse kishte “çështje që duhet t’i ndjekim më tej”.

    Ofensiva e re e Izraelit ka nxitur kritika ndërkombëtare, me liderë evropianë dhe arabë që janë takuar në Spanjë për të kërkuar një fund të luftës “çnjerëzore” dhe “pa kuptim”, ndërkohë që grupet humanitare thonë se kjo sasi e vogël ndihmash është larg së mjaftuari.

    Sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit, që shkaktoi luftën, rezultoi me vdekjen e 1.218 personave, kryesisht civilë, sipas një përllogaritjeje të AFP-së bazuar në shifra zyrtare.

    Militantët gjithashtu morën 251 pengje, nga të cilët 57 mbeten në Gaza, përfshirë 34 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur.

    Të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha se të paktën 3.822 persona janë vrarë në territor që nga kolapsi i armëpushimit më 18 mars, duke e çuar numrin total të viktimave të luftës në 53.977, kryesisht civilë./rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!