×
  • Lajme
  • Botë

    OBSH paralajmëron për rritje të obezitetit te fëmijët

    Reporteri
    14 Maj 2021 | 19:08

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se muajt me masa kufizimi, me qëllim të luftimit të koronavirusit, kanë rezultuar me më shumë obezitet te fëmijët, çka potencialisht mund të ndikojë në shëndetin e tyre në të ardhmen.


    Në një raport të publikuar më 11 maj, zyra evropiane e OBSH-së ka gjetur se mbyllja e shkollave dhe kufizimi i aktiviteteve mund të kenë pasur ndikim negativ për ushtrimet fizike të fëmijëve.

    “COVID-19 mund të rrisë një nga trendet më shqetësuese në rajonin evropian të OBSH-së siç është rritja e obezitetit te fëmijët”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.

    Obeziteti dhe pesha e tepërt janë lidhur me simptoma më të rënda të koronavirusit dhe sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe kancer.

    Studimi ka gjetur që gati një e treta e fëmijëve të moshave 6 deri në 9 vjeç kanë qenë mbipeshë, në një sondazh të kryer në 36 shtete.

    Ky paralajmërim vjen ndërkohë që disa studime të kryera nga Shtetet e Bashkuara deri në Evropë kanë treguar se muajt me kufizime të pandemisë dhe masat e izolimit po ashtu kanë ndikuar në shtim të peshës te të rriturit.

    Ndërkohë që shkalla e infektimit po bie dhe ajo e vaksinimit po rritet, shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë nisur të rihapen./Tch/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!