×
  • Lajme
  • Botë

    Pandemia shkatërron turizmin global, 320 miliardë dollarë humbje në 5 muaj

    Reporteri
    25 Gusht 2020 | 12:22

    Industria e turizmit global është shkatërruar nga pandemia me coronavirus me 320 miliardë dollarë humbje në eksport në pesë muajt e parë të vitit dhe më shumë se 120 milionë vende të punës në rrezik, ka bërë të ditur shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.


    Ai ka thënë se turizmi është sektori i tretë më i madh i eksportit të ekonomisë globale pasi më 2019 ka kontribuuar për 7 për qind të tregtisë globale.

    “Ky sektor punëson një në 10 persona në botë dhe u ofron jetesë qindra miliona personave tjerë”, ka thënë ai.

    Ai ka përmendur se turizmi për disa shtete përbën 20 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm.

    Sandra Carvao, shefe për inteligjencë të tregjeve dhe konkurrencë në Organizatën Botërore të Turizmit, ka thënë se humbjet prej 320 miliardë dollarëve në periudhën janar-maj, janë trefish më të mëdha krahasuar me ato të krizës financiare globale më 2009.

    Përveç rrezikut të humbjes së vendeve të punës në sektorin e turizmit, të dhënat kanë treguar se edhe sektorët tjerë të lidhur, përfshirë shërbimet për ushqim, përballen me kërcënimin e njëjtë.

    Në të gjetura është thënë se bizneset e vogla janë kryesisht “të ndjeshme”.

    Guterres ka thënë se turizmi është “shtyllë kyçe për konservimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore”./REL/ /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!