Papa Françesku ka mbërritur në Irak, për vizitën e parë papale në histori në këtë vend dhe udhëtimin e parë ndërkombëtar që nga nisja e pandemisë. Covid-i dhe frika që lidhet me sigurinë, bëjnë që kjo të jetë vizita më e rrezikshme, por 84-vjeçari insistoi se ishte një detyrim moral.
Sipas asaj që shkruan BBC, Papa Françesku do të përpiqet që të sigurojë me mbështetjen e tij komunitetit në zvogëlim të krishterë dhe të nxisë një dialog ndërfetarë, duke takuar klerikun mysliman Shia më të vlerësuar në Irak.
Papa pritet gjithashtu që të mbajë meshë në një stadium në Irbil, në veri të vendit. Rreth 10,000 forca të personelit të sigurisë ndodhen në terren me qëllim për të garantuar sigurinë e Papës. Ati i Shenjtë u prit në aeroport nga kryeministri i vendit, Mustafa al-Kadhimi. Ndërsa gjatë kohës që ndodhej në avion Papa tha se ishte i lumtur që po udhëtonte sërish duke shtuar se ky ishte “një udhëtim emblematik dhe një detyrë ndaj një toke që është martirizuar për kaq shumë vite me radhë”.
Më herët Papa kishte deklaruar se të krishterët e Irakut nuk mund të liheshin për herë të dytë në baltë, pasi Papa Gjon Pali II anuloi udhëtimin e parashikuar në vitin 1999, kur bisedimet me qeverinë e asaj kohet të Presidentit Saddam Hussein u ndërprenë.
Dy dekada më vonë, një prej komuniteteve të krishtera më të vjetra në botë ka pësuar një rënie drastike, nga 1.4 milionë që ishte, në rreth 250 000, duke përbërë kështu më pak se 1% të popullsisë.
Shumë janë larguar jashtë vendit për t’i shpëtuar dhunës që ka pllakosur vendin që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA në 2003, që rrëzoi Saddam-in. Ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën kur militantët e Shtetit Islamik pushtuan Irakun verior në 2014