×
  • Lajme
  • Botë / Mesha e parë

    Papa i ri, Leoni XIV zotohet se kisha do t’i ndriçojë “netët e errëta” të botës

    Reporteri
    09 Maj 2025 | 14:34

    Papa Leoni XIV e mbajti meshën e tij të parë të premten në Kapelën Sistine, ku u zgjodh papë një ditë më parë, duke paralajmëruar për rreziqet që sjell mungesa e besimit dhe duke shpresuar se Kisha Katolike do të mund të jetë fener që ndriçon “netët e errëta” të botës.

    Leoni, ish-kardinali me emrin Robert Prevost dhe papa i parë amerikan, dukej i qetë derisa drejtonte meshën në kapelën e famshme të zbukuruar me afreske, përkrah të njëjtëve kardinalë që e zgjodhën si papën e 267-të dhe pasardhës të Papa Françeskut.

    I veshur me petka relativisht të thjeshta në ngjyrë të bardhë dhe ari, Leoni XIV – i lindur në Çikago – i tha disa fjalë në anglisht para se të vazhdonte predikimin e tij me një italishte të rrjedhshme.

    Gjatë meshës, Leoni XIV, 69 vjeç, përshkroi vizionin e tij për Kishën që dëshiron ta ndërtojë, duke thënë se synon të shërbejë si “administratori besnik” për të gjithë kishën.

    Papa i ri – që udhëheq 1.4 miliard katolikë në mbarë botën – e pranoi se besimi i krishterë ndonjëherë “cilësohet absurd” dhe si diçka që u përket “të dobëtëve dhe të paarsimuarve”.

    “Mungesa e besimit shpesh shoqërohet tragjikisht me humbjen e kuptimit të jetës, neglizhencën e mëshirës, shkelje të tmerrshme të dinjitetit njerëzor, krizën e familjes dhe shumë plagë të tjera që e godasin shoqërinë tonë”, tha ai.

    Ai u zgjodh papë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë të konklavës.

    Kush është papa i ri?

    Robert Prevost, 69 vjeç, misionar që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke shërbyer në Peru, ishte ndër kandidatët kryesorë për papë – përveç se kishte një pengese: shtetësinë.

    Prej kohësh ka ekzistuar një tabu ndaj përzgjedhjes së një pape amerikan, për shkak të fuqisë gjeopolitike që Shtetet e Bashkuara ushtrojnë në sferën sekulare.

    Megjithatë, Prevost, me origjinë nga Çikago, duke qenë edhe shtetas i Perusë dhe kishte jetuar për vite të tëra atje – fillimisht si misionar dhe më pas si kryepeshkop – u pa si një figurë e pranueshme.

    Papa Françesku kishte kthyer sytë te Prevost prej kohësh dhe, në shumë aspekte, e konsideronte atë si pasuesin e tij të mundshëm.

    Në vitin 2023, e solli në Vatikan për ta emëruar në krye të dikasterit të fuqishëm që shqyrton emërimet e ipeshkvijve nga e gjithë bota – një nga detyrat më të rëndësishme në Kishën Katolike.

    Si rrjedhojë, Prevost kishte një profil të lartë në konklavë, të cilin pak kardinalë të tjerë e gëzonin.

    Pas zgjedhjes së papës së ri, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “është shumë nder që ai është papa i parë që është amerikan”.

    “Çfarë emocioni dhe çfarë nderi të madh për vendin tonë. Mezi pres ta takojë Papë Leonin e 14-të. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm”, tha Trump./REL

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!