×
  • Lajme
  • Botë

    Papa Leo XIV mban fjalimin e parë, thirrje për paqe dhe unitet nga Vatikani

    Reporteri
    08 Maj 2025 | 19:40

    Kardinali Robert Francis Prevost nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur Papa i 267-të. Udhëheqësi i ri i 1.4 miliardë katolikëve të botës në paraqitjen e parë iu drejtua turmës entuziaste në italisht, 69-vjeçari tha “Paqja qoftë me të gjithë ju.

    “Vëllezër dhe motra të dashura, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur. Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për të arritur familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që të jeni. Paqja qoftë me ju. Zoti na do shumë, Zoti na do të gjithëve. Jemi të gjithë në duart e Zotit. Pa frikë dhe të bashkuar, dorë për dore me Zotin mes nesh do të shkojmë përpara. Të ndërtojmë ura me dialog për t’u bashkuar të gjithë. Faleminderit Papa Françesko.”, tha ai.

    Papa Leo XIV më pas falënderoi kardinalët që e zgjodhën gjatë Konklavës dyditore.

    “Dua të falënderoj edhe të gjithë vëllezërit kardinalë që më zgjodhën që të jem pasardhës dhe të eci bashkë me ju, duke kërkuar paqe. Të punojmë bashkë dhe pa frikë për të qenë misionar”, tha ai.

    Më pas, Provosti kalon në spanjisht për të falënderuar dioqezën e tij të mëparshme në Peru, “ku një popull besnik ka ndarë besimin dhe ka dhënë shumë.”

    Kush është Papa i ri, çfarë duhet të dini për Papa Leon XIV

    Prevost, 69 vjeç, nga Çikago, Illinois, është Papa i parë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara. Ai do të njihet si Leo XIV.

    Një udhëheqës me përvojë globale, ai e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si misionar në Amerikën e Jugut dhe së fundmi drejtoi një zyrë të fuqishme në Vatikan për emërimet e peshkopëve. Ai pritet të ndërtojë mbi reformat e Papa Françeskut.

    Ai punoi për një dekadë në Trujillo, Peru, dhe më vonë u emërua peshkop i Chiclayo, një qytet tjetër peruan, ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023.

    Në një intervistë me Vatican News menjëherë pasi u bë udhëheqës i Dikasterit për Peshkopët, Prevost tha: “Unë ende e konsideroj veten misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që të jetë.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!