Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka deklaruar se sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë në luftë të vërtetë. Në fjalimin para komitetit të inteligjencës ai tha:
“…nëse përfundojmë në luftë – luftë të vërtetë, me të shtëna, me një fuqi të madhe – ajo do të jetë pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasoja të mëdha”.
Ai vuri në dukje një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në SHBA. Zyrtarët amerikanë i kanë lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën. Disa prej tyre kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të presidencës Biden.
Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.
Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.
Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.
Biden është zotuar se “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Rusia, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.