×
  • Lajme
  • Botë

    Pas Borrelit, edhe dy zyrtarë tjerë të BE-së në vetizolim

    Reporteri
    14 Tetor 2020 | 13:19

    Pas kontaktit me personat që rezultuan pozitivë ndaj COVID-19, dy zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian kanë shkuar në vetëizolim, transmeton AA.


    “Unë u informova se një anëtar i delegacionit që udhëtonte me mua dhe Janez Lenarcic në Etiopi javën e kaluar ka rezultuar pozitiv për koronavirus. Unë rezultova negativ pas kthimit tim të dielën”, shkroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell në Twitter të martën vonë.

    “Unë jam vetëizoluar” në pritje të testit të dytë, shtoi ai.

    Lenarcic, komisioneri evropian për menaxhimin e krizave, më vonë shkroi në Twitter se ai ishte informuar “se një anëtar i ekipit tim, i cili nuk ishte në mision në Etiopi në fund të javës së kaluar”, kishte rezultuar pozitiv, duke shtuar se ai është në vetëizolim dhe po punonte nga shtëpia pa asnjë simptomë.

    Lenarcic shtoi se ai ishte testuar para dhe pas vizitës në Etiopi dhe ishte negativ për herë të dytë.

    Komisioni Evropian ka regjistruar disa raste me COVID-19 kohët e fundit, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me rregullimet e udhëtimit të zyrtarëve mes numrave në rritje në Evropë.

    Gjatë fundjavës, Mariya Gabriel, komisionerja evropiane për inovacione, kërkime, kulturë, arsim, rini dhe sport, njoftoi gjithashtu se kishte rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

    Zyrtarë të tjerë që më parë ishin vetëizoluar pas kontaktit me persona të prekur nga COVID-19 përfshijnë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefin e zgjerimit, Oliver Varhelyi, nënkryetarët ekzekutivë, Frans Timmermans dhe Valdis Dombrovskis, komisioneren e Shëndetësisë, Stella Kyriakides dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!