×
  • Lajme
  • Botë

    Pas emërimit të Harrisit, fushata e Bidenit mblodhi 48 milionë dollarë në vetëm 48 orë

    Reporteri
    14 Gusht 2020 | 14:01

    Kampanja e kandidatit demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden ka mbledhur 48 milionë dollarë në vetëm 48 orë që kur u emërua senatorja Kamala Harris, si kandidate për pozitën e nënpresidentes, tha të premten një zëdhënës i fushatës.


    Biden dhe grupet që mbështesin fushatën e tij mblodhën 140 milion dollarë në muajin korrik, shkruan yahoo.news.

    Biden, vetë ish-nënpresident, zgjodhi të martën Harrisin, me prejardhje indo-xhamaikane, si zëvendësin e tij. Pas trazirave racore për vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd gjatë një arrestimi policor, Biden ishte nën presion të fortë për të nominuar një grua me ngjyrë për nënpresidente të Amerikës.

    Senatorja 54-vjeçare nga Kalifornia, e cila ishte në garë për Shtëpinë e Bardhë dhe më pas filloi të mbështeste 77-vjeçarin, gjithashtu është amerikanja e parë me prejardhje aziatike që mban një pozicion kaq të lartë.

    Harris u zgjodh në Senat në vitin 2016, vetëm si afrikano-amerikania e dytë në historinë e tij. Ajo pritet të mobilizojë afrikano-amerikanët, elektoratin më besnik të Partisë Demokratike.

    Katër vjet më parë, pjesëmarrja e votuesve me ngjyrë në zgjedhjet presidenciale ra në mënyrë drastike për herë të parë në 20 vjetët e fundit, gjë që kontribuoi shumë në dështimin e kandidates së atëhershme demokrate, Hillary Clinton, e cila humbi para Donald Trumpit.

    Harris, një ish-prokurore dhe prokurore e përgjithshme në Kaliforni, është e njohur për stilin e saj agresiv në debatet e Senatit dhe ishte po aq e ashpër ndaj Bidenit në fushatën zgjedhore të demokratëve.

    Ajo ka mundësi të jetë kandidatja kryesore e demokratëve për zgjedhjet e vitit 2024, duke pasur parasysh moshën e lartë të Bidenit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!