Shtetet e Bashkuara të Amerikës do e zhvendosin në Poloni selinë e tyre ushtarake për rajonin e Europës, pas mosmarrëveshjeve të fundit mes Uashingtonit dhe Gjermanisë.
Pakti SHBA-Poloni për një bashkëpunim më të zgjeruar në fushën e mbrojtjes u firmos në Varshavë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe presidenti polak, Andrzej Duda.
Polonia aktualisht strehon rreth 4,500 trupa amerikane në territorin e vet, kontingjent që pritet ta rritë me 1 mijë ushtarë më shumë dhe mund të arrijë në 20 mijë në rast kërcënimi.
Mirëmbajtja e infrastrukturës së re ajrore dhe tokësore që duhet ndërtuar, si edhe prezenca e shtuar ushtarake amerikane, do i kushtojnë Polonisë rreth 135 milionë dollarë çdo vit.
“Marrëveshja do e forcojë mjaft sigurinë e Polonisë dhe ka për të pasur impakt në aspekte të tjera të bashkëpunimit, në investimet amerikane dhe në fushën e energjisë.”
Përveç ofrimit të ekspertizës për forcat ushtarake vendëse, pala amerikane thotë se me praninë e saj do vazhdojë t’i bëjë ballë rreziqeve që i kanosen NATO’s dhe Europës nga aktorët si Rusia.
Konflikti për detyrimet buxhetore dhe mos përmbushja e investimeve në aleancën e Atlantikut detyroi Uashingtonin muajin e kaluar të tërheqë rreth 12 mijë ushtarë amerikanë nga Gjermania.
Gjatë ditës, kryediplomati Pompeo trajtoi me kryeministrin polak edhe tema të ditës si pandemia e koronavirusit, protestat në Bjellorusi, sigurimin e gjeneratës së re të rrjetit celular 5G nga Kina dhe planet për zhvillimin e disa centraleve bërthamore energjetike me teknologji amerikane.
Vizita e Pompeos përmbylli turin e tij disaditor europian që nisi me Republikën Çeke, në Slloveni dhe të premten, në Austri. /Reporteri.net/