×
  • Lajme
  • Botë

    Pasi emëroi rektor me lidhje partiake, Erdogani themelon dy fakultete të reja në universitetin e njohur

    Reporteri
    06 Shkurt 2021 | 14:31

    Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, nëpërmjet dekretit ka urdhëruar themelimin e dy fakulteteve të reja në universitetin më prestigjioz të vendit, i cili së fundmi është përfshirë nga protestat e studentëve dhe profesorëve.


    I publikuar të shtunën në gazetën zyrtare, vendimi i Presidentit turk e urdhëron themelimin e fakultetit jurdik dhe atij të komunikimit në Universitetin Bogazici, shkruan gazeta turke Sabah, transmeton Reporteri.net.

    Këtë vendim e ka përkrahur rektori i ri i universitetit, Melih Bulu, duke thënë se beson se këto dy fakultete do të shtojnë perspektiva dhe pasuri të reja në Universitetin e Bosforit.

    Por, kritikët thonë se themelimi i dy fakulteteve të reja do t’ia mundësojë rektorit të zgjedhur nga presidenti që t’i mbushë ato me individë besnikë të qeverisë. Grupet e studentëve që po protestojnë kundër rektorit të ri e kundërshtuan vendimin e presidentit, duke thënë se ai është përpjekje për okupim dhe kundër lirive akademike.

    Për disa javë, studentët e këtij universiteti kanë mbajtur protesta kryesisht paqësore kundër emërimit të rektorit të ri, Melih Bulu, i cili ka lidhje me partinë në pushtet, AK Parti, që udhëhiqet nga Erdogani. Studentët po bëjnë thirrje për dorëheqjen e rektorit dhe zgjedhjen e një rektori të ri nga vetë universiteti.

    Zyrtarë të lartë të qeverisë turke kanë thënë se grupe terroriste janë duke i provokuar protestat, ndërsa vetë Erdogani i ka quajtur terroristë protestuesit.

    Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian e kanë kritikuar mënyrën se si autoritetet kanë reaguar ndaj protestave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!