×
  • Lajme
  • Botë / Lufta në Gaza

    Pasojat e prishjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit  

    Reporteri
    12 Shkurt 2024 | 16:40
    Presidenti egjiptian Anwar Sadat, në të majtë, presidenti amerikan, Jimmy Carter, në mes, dhe kryeministri izraelit, Menachem Begin, më 26 mars 1979

    Ishte shtrëngim duarsh mes dy burrshtetasve të pazakontë para syve të presidentit amerikan Jimmy Carter. Nën hijen e pemëve të Kampit David në Maryland, presidenti egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministri izraelit, Menachem Begin forcuan marrëveshjen që mundësoi paqen mes Izraelit dhe Egjiptit për më shumë se 40 vjet. Ka shërbyer si burim i stabilitetit në rajonin që shpejtë merr flakë, përcjell gazeta online Reporteri.net. 

    Kjo paqe u ka mbijetuar dy kryengritjeve palestineze dhe serisë së luftrave mes Izraelit dhe Hamasit. Mirëpo tani, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që ka premtuar se do të dërgojë ushtrinë në Rafah, qytetin e Gazës në kufi me Egjiptin, qeveria egjiptiane ka kërcënuar me prishje të marrëveshjes së paqes. 

    Historia e traktatit 

    Ishte viti 1977 dhe Begini, kryeministri i ri izraelit, kundërshtoi kthimin e tokave që Izraeli i kishte pushtuar një dekadë më parë në vitin 1967 në luftën e Lindjes së Mesme. Këto toka përfshinin edhe Gadishullin e Sinait në Egjipt. 

    Egjipti dhe Izraeli kanë luftuar në katër luftëra, e fundit u zhvillua në vitin 1973. Për këtë shkak, bota u trondit kur Sadati prishi marrëdhëniet me liderët arabë dhe vendosi marrëdhënie me izraelitët. 

    Bisedimet kulmuan me Akordet e Kampit David në shtatorin e vitit 1978 dhe traktati i paqes pasoi një vit më vonë. 

    Nën këtë traktat, Izraeli u pajtua që të tërhiqej nga Sinai, zonë e demilitarizuar nga Egjipti. Anijeve izraelite u lejua kalimi nëpërmjet Kanalit të Suezit. Shtetet vendosën marrëdhënie të plota diplomatike dhe kjo ishte marrëveshja e parë e paqes mes Izraelit dhe ndonjë shteti arab.  

    Qëndrimet aktuale 

    Dy zyrtarë egjiptianë dhe një diplomat perëndimor kanë thënë për “Associated Press” se Egjipti mund të suspendojë traktatin e paqes nëse ushtria izraelite pushton qytetin Rafah. 

    Netanyahu ka insistuar se në këtë qytet është baza e fundit e Hamasit dhe se të tjerat janë shkatërruar gjatë katër muajsh luftimesh. Ai është shprehur i bindur se operacioni tokësor është vendimtar për të mposhtur grupin militant.  

    Mirëpo Egjipti ka kundërshtuar çfarëdo forme që mund të nxiste ikjen e palestinezëve në drejtim të territorit egjiptian.  

    Nga pika kufitare në Rafah hyjnë edhe ndihmat humanitare dhe sulmet e Izraelit mund të përkeqësojnë shpërndarjen e ndihmave.  

    Popullsia e qytetit të Rafah nga 280 mijë banorë është ngritur në 1.4 milion qëkur ka nisur lufta në Gaza.  Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë që të përgatit planin për evakuimin e të gjithë civilëve palestinezë para se të nisë ofensivën. Mirëpo mbetet e paqartë se ku do të shkojnë ata.  

    Traktati deri më tani ka kufizuar numrin e ushtarëve në të dyja anët e kufirit. Kjo ia ka mundësuar Izraelit që ta përqendrojë ushtrinë përballë kërcënimeve të tjera.  

    Përveç luftës në Gaza, Izraeli është përfshirë në beteja të vogla me grupin militant të Hezbollahut në kufi me Libanin. 

    Në rast se Egjipti prish marrëveshjen, Izraeli nuk do të mund ta cilësonte kufirin jugor si zonë të qetësisë.  

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!