Mitropoliti i Zagrebit dhe Lubjanës, Porfirije, u zgjodh të enjten patriark i ri i Kishës Ortodokse Serbe, njoftoi Kisha Ortodokse Serbe në faqen e saj të internetit.
Me këtë emërim, Porfirije, i lindur në vitin 1961, bëhet kreu i 46-të i Kishës Ortodokse Serbe.
Pas zgjedhjes në krye të Patriarkanës Serbe, Porofirije si paraardhësi i tij foli për Kosovën duke thënë se Kosova nuk është thjesht një mit për serbët, djepi dhe thelbi i identitetit serb, transmeton Reporteri.net.
“Shqetësimi im më i madh, por edhe i Kishës sonë, është ende Kosova e vuajtur, Jerusalemi ynë shpirtëror, siç tha Patriarku Irinej. Për serbët, Kosova dhe Metohia nuk është thjesht një mit, sepse miti i përket botës së imagjinatës dhe ne mund të humbasim dhe të fitojmë atje. Kosova është një besëlidhje për ne, dhe se besëlidhja e Kosovës lidhet me Dhjatën e Re, e cila bazohet në shenjtëri. Kosova është zemra e Serbisë, brezi ynë i ri i sotëm këndon”, theksoi kreu i Kishës Ortodokse Serbe në predikimin e tij.
Kisha Ortodokse Serbe ka filluar procedurën për zgjedhjen e patriarkut të ri, pas vdekjes së patriarkut të mëparshëm, Irinej.
Irinej ka vdekur në muajin nëntor, pas infektimit me koronavirus.
Atëbotë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova “ishte shqetësimi kryesor i Irinejit”.
Kisha Ortodokse Serbe e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008. /Reporteri.net