Fluturimi 7C 2216 i Jeju Air nga Bangkoku po transportonte 175 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit kur ndodhi tragjedia në aeroportin në qarkun Muan, në skajin jugperëndimor të vendit.
Pamjet e transmetuara nga disa media të Koresë së Jugut për aksidentin e së dielës tregonin avionin duke rrëshqitur me shpejtësi të madhe mbi barkun e tij, duke goditur një breg dhe duke shpërthyer në një top zjarri.
Dhjetëra njerëz humbën jetën të dielën kur një avion pasagjerësh u përplas në një aeroport në jugperëndim të Koresë së Jugut, me avionin që rrëshqiti mbi barkun e tij përgjatë pistës përpara se të shpërthente në flakë.
Vetëm dy nga 181 personat në bord mbijetuan, pasi vdekja e 179 personave u konfirmua nga departamenti lokal i zjarrfikësve. Dy anëtarë të ekuipazhit u nxorën të gjallë nga vendi i aksidentit.
Çka e shkaktoi rrëzimin?
Një përplasje me zogj është shfaqur si një faktor i mundshëm në aksidentin e së dielës, pasi zyrtarët zbuluan se kontrollorët e trafikut ajror kishin paralajmëruar avionin për rreziqet e përplasjeve me zogj disa minuta para aksidentit, dhe njëri nga anëtarët e ekuipazhit të mbijetuar raportohet të ketë përmendur një përplasje me zogj pas shpëtimit.
Ndërsa shkaku i saktë mbetet ende në hetim, incidenti ka tërhequr vëmendjen ndaj historikut të Aeroportit Ndërkombëtar Muan me incidente të tilla, raporton agjencia Yonhap News.
Ky aeroport ka regjistruar shkallën më të lartë të përplasjeve me zogj ndër 14 aeroportet rajonale të Koresë së Jugut, me 10 incidente të raportuara midis viteve 2019 dhe gusht të këtij viti, sipas të dhënave të dorëzuara në parlament nga Korporata e Aeroporteve të Koresë.
Megjithëse numri absolut është i vogël, duke e bërë të vështirë përgjithësimin në statistika domethënëse, shkalla e përplasjeve prej 0.09% të fluturimeve është dukshëm më e lartë se ajo e aeroporteve të tjera kryesore, si Gimpo (0.018%) dhe Jeju (0.013%), shkruan The Guardian.
Ekspertët e aviacionit thonë se përplasjet me zogj mund të jenë katastrofike. Rreziku është veçanërisht i lartë në Muan për shkak të vendndodhjes së tij pranë fushave dhe zonave bregdetare.
Incidente të tilla me zogj në nivel kombëtar janë rritur gradualisht, nga 108 në vitin 2019 në 152 vitin e kaluar. Disa sugjerojnë se kjo rritje mund të lidhet me ndryshimet klimatike.