×
  • Lajme
  • Botë / Lufta në Gaza

    Përse ndihma shumë e nevojshme humanitare s’po arrin te palestinezët?

    Reporteri
    22 Shkurt 2024 | 18:45

    Prej ditëve të para të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Uashingtoni dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare i kanë bërë trysni Izraelit të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave humanitare brenda Rripit të Gazës.

    Por, derisa luftimeve të vazhdueshme nuk po u shihet fundi, katastrofa humanitare atje vetëm sa po përkeqësohet.

    Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe grupet humanitare thonë se lufta e vazhdueshme, mospranimi i ushtrisë izraelite për ta lehtësuar dërgimin e ndihmave dhe dështimi i rendit në Gazë, e bëjnë tejet të vështirë dërgimin e ndihmave jetike në shumicën e enklavës bregdetare.

    Programi Botëror i Ushqimit (PBU) tha të martën se e ndërpreu dërgimin e ushqimit në veriun e izoluar të Gazës, ku agjencia e OKB-së për fëmijët thotë se një në gjashtë fëmijë vuajnë nga mungesa e ushqimit apo kequshqimi.

    Një raport i OKB-së në dhjetor gjeti se një çerek i popullsisë prej 2.3 milionëve në Gazë vuajnë nga uria.

    “Atje mund të gjeni njerëz që kanë mbetur pa ngrënë për një, dy apo tri ditë – ata kanë urie të madhe”, tha të mërkurën Matthew Hillingworth, drejtor i PBU-së.

    “Por, ka edhe njerëz që vuajnë nga uria e skajshme, pra nuk hanë për një javë”, shtoi ai.

    Hollingworth e përshkroi ndërprerjen si “ndërprerje të përkohshme”, dhe tha se PBU-ja është duke biseduar me të gjitha palët për ta rifilluar dërgimin e ushqimit.

    Pamje nga Gaza në javët e fundit tregojnë skena të dëshpërimit të madh, ku qindra njerëz i rrethojnë kamionët dhe i zbrazin ata. Disa palestinezë thonë se kanë filluar të bëjnë bukë nga foragjeret shtazore. Nënat e reja thonë se qumështi formulë për foshnjat e tyre mungon, ose është tepër i kushtueshëm.

    Izraeli e mohon se po kufizon futjen e ndihmave dhe fajin ua ka hedhur organizatave humanitare që veprojnë brenda Gazës, duke thënë se qindra kamionë të mbushur me ndihma rrinë palëvizur në anën palestineze të pikëkalimit kryesor kufitar. OKB-ja thotë se nuk mund të shkojë gjithmonë te kamionët në këtë pikëkalim kufitar, për shkak se nganjëherë është shumë rrezik.

    OKB-ja i ka bërë thirrje Izraelit të hapë më shumë pikëkalime kufitare, përfshirë në veri, dhe ta përmirësojë procesin e koordinimit.

    Përse Gaza varet nga ndihmat?

    Gaza përballet me bllokadë izraelite dhe egjiptiane prej se Hamasi e mori pushtetin nga forcat rivale palestineze në vitin 2007. Izraeli ka thënë se bllokada ka qenë e nevojshme për të mos e lejuar grupin militant të importojë armë, ndërsa kritikët e përshkruajnë atë si një formë e ndëshkimit kolektiv.

    Madje edhe para luftës, shkalla e papunësisë në Gazë u rrit në rreth 50 për qind – ndër më të lartat në botë – ndërsa izolimi shumëvjeçar bashkë me katër luftërat e kaluara e kanë shkatërruar sektorin privat. Prapëseprapë, rreth 500 kamionë futeshin çdo ditë, duke bartur mallra, karburant dhe ndihma.

    Izraeli e rrethoi plotësisht Gazën pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe tha se asgjë nuk do të futet brenda saj derisa grupi radikal t’i lirojë rreth 250 pengjet që i rrëmbeu atë ditë.

    Më vonë, Izraeli u dorëzua para trysnisë amerikane dhe filloi ta lejojë futjen e dhjetëra kamionëve çdo ditë përmes pikëkalimit kufitar mes Egjiptit dhe Gazës, Rafah. Por, grupet humanitare thanë se përballeshin me procese të inspektimeve të ashpra dhe se vetëm një pjesë e vogël e ndihmave lejohej brenda territorit edhe pse nevoja rritej, pasi rreth 80 për qind e palestinezëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Izraeli thotë se inspektimet janë të nevojshme për çështje sigurie.

    Në dhjetor, pas presionit të shtuar amerikan, Izraeli e rihapi pikëkalimin e vet kufitar me Gazën, Kerem Shalom, i cili ka terminalin kryesor të mallrave të këtij territorit dhe e lehtësoi procesin e inspektimit.

    Por, edhe atëherë, numri mesatar i kamionëve që futeshin në Gazë brenda ditës ishte vetëm sa një e treta e numrit mesatar të para luftës.

    COGAT, organi ushtarak në krye të çështjeve civile palestineze, thotë se nuk ka kufizime në importin e ndihmave humanitare. Ai po ashtu e mohon se protestuesit izraelitë në pikëkalimet kufitare i kanë bllokuar ndihmat në javët e fundit.

    Pengesat kryesore tani duket se janë në pjesën tjetër të kufirit.

    Pse organizatat nuk mund të shpërndajnë ndihma brenda Gazës?

    Kur kamionët me ndihma futen në Gazë, ata shpesh nuk kanë ku të shkojnë më larg.

    Izraeli e ka izoluar veriun e Gazës prej ditëve të para të ofensivës tokësore në fund të tetorit, pasi e urdhëroi popullsinë e kësaj pjese të zhvendoset në jug. Dhjetëra mijëra njerëz mbesin atje, edhe pse lagje të tëra janë bërë rrafsh me tokën dhe ka mungesa të skajshme të ushqimit dhe ujit.

    Grupet humanitare thonë se ushtria izraelite shpesh ua hedh poshtë kërkesat për të shkuar në veri të Gazës, dhe edhe kur ua pranon, u ofron pak mbrojtje.

    Nevojiteshin rreth 45 minuta për të shkuar me automjet nga Rafah prej jugut në Gaza City në veri. Tani nevojiten disa orë për shkak të luftimeve të vazhdueshme dhe rrugëve të dëmtuara, të bllokuara apo të mbyllura nga ushtria.

    Në fillim të këtij muaji, një zyrtar i OKB-së i akuzoi forcat izraelite se kishin shtënë në një kolonë me ndihma. Policia e Hamasit kishte ofruar shoqërim sigurie për t’i mbrojtur kamionët me ndihma nga turmat dhe nga banditët – dhe, sipas Izraelit, ajo i plaçkiste vetë ndihmat.

    Por, zyrtarët e OKB-së thonë se shoqëruesit janë zhdukur pasi sulmet e fundit ajrore izraelite i vunë në shënjestër forcat e sigurisë në Rafah, aty ku ndodhin shumica e operacioneve me ndihma dhe ku më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës ka kërkuar strehim nga luftimet që po zhvillohen në pjesë të tjera.

    Izraeli është zotuar se do ta zgjerojë ofensivën tokësore deri brenda Rafahut në javët në vazhdim. Kjo do të ishte një katastrofë, sipas grupeve humanitare.

    Si kanë ndikuar polemikat rreth UNRWA-s në dërgimin e ndihmave?

    Dërguesi më i madh i ndihmave në Gazë është agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA. Muajin e kaluar, Izraeli tha se 12 punëtorë të kësaj agjencie morën pjesën në sulmin e 7 tetorit, duke i nxitur Shtetet e Bashkuara dhe donatorët e tjerë t’i pezullojnë fondet për të.

    UNRWA i shkarkoi menjëherë 10 punëtorë dhe e ka nisur një hetim për këtë. Ajo i mohon pretendimet e Izraelit se ka bashkëpunuar me Hamasin. Ajo thotë se Izraeli nuk ka dhënë dëshmi për përfshirjen e 12 punëtorëve të saj në sulmin e 7 tetorit.

    UNRWA thotë se nëse financimi i saj nuk rifillon, do të detyrohet ta ndalë veprimtarinë në prill.

    Ndërkohë, kjo agjenci thotë se Izraeli i ka vendosur një numër kufizimesh financiare të cilat i pengojnë operacionet e saj dhe i kanë bllokuar dërgesat me ndihma që mund t’i mbështesin 1.1 milion njerëz për një muaj.

    Izraeli ka bërë thirrje për shpërbërjen e UNRWA-s, por asnjë agjenci tjetër e OKB-së, apo grup humanitar nuk mund ta zëvendësojë atë menjëherë./REL.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!