Peruja duket se ka rigjetur qetësinë politike me zgjedhjen e presidentit e ri të përkohshëm, i treti brenda javës.
Shkarkimi nga parlamenti i presidentit të vjetër shkaktoi protesta mbarëpopullore.
Pas protestave të dhunshme qytetare dhe kaosit politik, Peruja ka zgjedhur presidentin e saj të ri në më pak se 1 javë.
Fransisko Sagasti u votua të hënën nga shumica e parlamentit për të udhëhequr postin më të lartë të shtetit deri vitin e ardhshëm kur mbahen zgjedhjet e reja.
Ish-zyrtari i Bankës Botërore dhe ish-inxhinieri me përvojë të gjatë parlamentare, do përpiqet të rikthejë stabilitetin në shtetin amerikanojugor të goditur rëndë nga kriza ekonomike dhe sidomos nga pandemia e koronavirusit.
“Sot nuk është ditë për të festuar. Nuk mund të kthehemi dot e t’u rijapim atyre jetën që humbën, por mund të veprojmë përmes Kongresit, qeverisë, që kjo të mos ndodhë më,” deklaroi Sagasti pas betimit si president.
76-vjeçari pason liderin e përkohshëm, Manuel Merino, që dha dorëheqjen të dielën, pesë ditë pasi parlamenti kishte shkarkuar kreun e vjetër të shtetit, Martin Vizkarën.
Ky i fundit ishte më i dashur për qytetarët por ishte bërë shqetësim për deputetët peruanë për shkak të propozimeve për të luftuar korrupsionin dhe për çështjen e imunitetit parlamentar.
Largimi i Vizkarës u prit me demonstrata të gjera popullore që nisën paqësisht por përfunduan me vrasjen e dy personave nga forcat e policisë.
Ish-kreu i shtetit, Merino, që u dorëhoq pikërisht prej protestave, po hetohet për vrasjet dhe për abuzim me pushtetin.
Të hënën, zgjedhja e presidentit të ri u përshëndet nga protestuesit jashtë parlamentit, ndonëse zemërimi me policinë dhe deputetët e zgjedhur në Peru vazhdon të jetë i lartë.