×
  • Lajme
  • Botë

    Plani i Putinit për spastrimin e ushtrisë

    Reporteri
    23 Maj 2024 | 17:06

    Kur një zyrtar rus i mbrojtjes arrestohet në Rusi, është diçka interesante. Mirëpo kur katër figura të larta prangosen për më pak se një muaj, është më shumë se model. Është spastrim, shkruan redaktori i BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg.

    Ushtaraku i fundit që u mbyll në burg është gjenerali Vadim Shamarin, zëvendësshef i stafit të gjeneralit të ushtrisë dhe shefi i Drejtorisë kryesore të Komunikimeve në Forcat e Armatosura Ruse.

    Është akuzuar për ryshfet dhe për dy muaj do të jetë në paraburgim para se të nisë procesi gjyqësor, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Numër i madh i figurave ushtarake kanë rënë nga pushteti shkaku i akuzave për korrupsion, përfshirë zëvendësministrin e Mbrojtjes, Timur Ivanov dhe gjeneral-lejtnant Yuri Kuznetsov.

    Ka ndryshime edhe në krye të ministrisë. Në formatimin e fundit, presidenti Vladimir Putin zëvendësoi ministrin e kamotshëm të Mbrojtjes, Sergei Shoigu me ekonomistin teknokrat Andrei Belousov. Kjo mund të interpretohet si përpjekje nga Kremlini që ushtria të jetë më efikase dhe të luftojë korrupsionin.

    Arrestimi i figurave të larta ushtarake reflekton keq për lidershipin e ushtrisë që i ka prirë luftës ruse në Ukrainë.

    Ka një ironi në krejt këtë.

    E mbani mend Yevgeny Prigozhinin? Një vit më parë, kryemercenari i “Wangerit” publikisht kishte kritikuar shefat ushtarak. Kishte akuzuar ata për paaftësi dhe korrupsion, ndërkaq i kishte fajësuar edhe për dështimet në frontin e luftës në Ukrainë. Prigozhin ua kishte vënë syrin me kritika Sergei Shoigut dhe Valery Gerasimov. Kishte kërkuar zëvendësimin e tyre.

    Këto kritika dolën nga kontrolli dhe nxitën kryengritjen 24 orëshe të grupit “Wagner”. Mercenarët morën kontrollin e bazave ushtarake në jug të Rusisë dhe nisën marshimin drejt Moskës, duke sfiduar autoritetin e Putinit. Mirëpo Prigozhin kishte synim udhëheqësit e ushtrisë.

    Dështoi. Putini u bë me shefat e ushtrisë së tij. Prigozhini humbi betejën për pushtet me Shoigun dhe Gerasimovin. Pak javë më vonë, ai humbi jetën nga rrëzimi i aeroplanit.

    Mirëpo një vit më vonë, Kremlini ka nisur spastrimin e ushtrisë.

    Kjo tregon diçka edhe për presidentin Putin. Atij nuk i pëlqen të veprojë nën presion. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të veprojë. Vepron vetëm kur ka qejf.

    Deri më tani nuk është e qartë se si do të vazhdojë ky spastrim; sa figura do të përfundojnë në burg.

    Ish-komandanti i brigadës së 56 të Rusisë, Ivan Popov është arrestuar gjatë kësaj jave nën dyshimet për mashtrim.

    Vitin e kaluar kishte njoftuar se është shkarkuar nga detyra pasi është ankuar për problemet në frontin e luftës në Ukrainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!