Gazetarja australiane Lauren Tomasi u qëllua në këmbë me një plumb gome nga policia amerikane, teksa raportonte drejtpërdrejt për protestat kundër politikave të emigracionit të Presidentit Donald Trump.
Incidenti ndodhi gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe autoriteteve në Los Angeles, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin e Trump për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare, si pjesë e masave të tij të reja për kontrollin e emigracionit.
Tomasi, e cila raportonte për Nine News, u godit gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ndërsa përshkruante situatën gjithnjë e më të tensionuar mes protestuesve dhe policisë.
“Pas orësh të tëra protestash paqësore, situata papritur u përshkallëzua. LAPD po lëvizte me kuaj dhe qëllonte me plumba gome në drejtim të turmës”, tha ajo para se të goditej.
Pamjet filmike tregojnë një efektiv policie që shënjestron drejt Tomasit dhe operatorit të saj, përpara se të qëllojë.
Gazetarja shihet më pas duke kapur këmbën, e lënduar nga plumbi i gomës. Një kalimtar i rastësishëm dëgjohet duke i thënë policit: “Sapo qëllove gazetaren!”
Në një reagim të shkurtër, Tomasi u shpreh: “Jam mirë”, ndërsa situata rreth saj vijonte të ishte kaotike.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në Australi. Senatorja e të Gjelbërve, Sarah Hanson-Young, i kërkoi kryeministrit Anthony Albanese të kërkojë një shpjegim urgjent nga autoritetet amerikane.
“Është tronditëse dhe krejtësisht e papranueshme që një gazetare australiane të qëllohet nga forcat e rendit gjatë raportimit të saj”, deklaroi ajo.