×
  • Lajme
  • Botë / Konflikti në Lindjen e Mesme

    “Po vdesim ngadalë” – Palestinezët po hanë bar dhe po pinë ujë të ndotur për të mbijetuar

    Reporteri
    01 Shkurt 2024 | 10:22

    Gjumi është e vetmja gjë që i shpërqendron fëmijët e Hanadi Gamal Saed El Jamara, 38 vjeçe, nga uria e madhe që ua gërryen zorrët në bark.

    Këto ditë, nëna e shtatë fëmijëve të saj në Gaza, e gjeti veten duke kërkuar ushqim rrugëve, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.

    Ajo thotë se po përpiqet t’i ushqejë fëmijët e saj të paktën një herë në ditë, derisa në të njëjtën kohë, kujdeset për burrin e saj që është me kancer dhe me diabet.

    “Janë të dobët, fytyrat e tyre janë zverdhur. Vajza ime 17-vjeçe thotë se ka vazhdimisht marramendje”, thotë nëna e fëmijëve, El Jamara.

    Nëse palestinezët gjejnë diku ujë për të pirë, ai ujë është i papijshëm. Uji, kudo që gjindet, është i ndotur.

    CNN raporton se fëmijët që jetojnë rrugëve, pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë pas bombardimeve nga Izraeli, qajnë dhe vazhdimisht e kërkojnë pak bukë.

    Të tjerë, ecin me orë të tëra nëpër të ftohtë e duke rrezikuar jetën nga ekspozimi ndaj sulmeve izraelite, për të kërkuar pak ushqim.

    Bombardimet dhe rrethimi nga Izraeli që nga 7 tetori ka zvogëluar në mënyrë drastike furnizimet jetike në Gaza, duke e lënë të gjithë popullsinë prej rreth 2.2 milionësh të ekspozuar ndaj niveleve të larta të pasigurisë ushqimore ose edhe më keq.

    Martin Griffiths, shefi i ndihmës emergjente të OKB-së,  tha për CNN  se “shumica e madhe” e 400,000 banorëve të Gazës të karakterizuar nga agjencitë e OKB-së si të rrezikuar nga uria “në të vërtetë janë në zi për bukë”. Ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut  kanë paralajmëruar se “Izraeli po shkatërron sistemin ushqimor të Gazës dhe po përdor ushqimin si armë kundër popullit palestinez”.

    “Ne po vdesim ngadalë”, reflektoi El Jamara, nëna në Rafah.

    “Mendoj se është edhe më mirë të vdesim nga bombat, të paktën do të jemi dëshmorë. Por tani po vdesim nga uria dhe etja”, u shpreh ajo.

    “Njerëzit po hanë bar për të mbijetuar”

    Mohammed Hamouda, një terapist fizik i zhvendosur në Rafah, kujton ditën kur kolegu i tij, Odeh Al-Haw, u vra duke u përpjekur të merrte ujë për familjen e tij.

    Al-Haw ishte në radhë në një stacion uji në kampin e refugjatëve Jabalya, në Gazën veriore, kur ai dhe dhjetëra të tjerë u goditën nga bombardimet izraelite, tha Hamouda.

    “Fatkeqësisht, shumë të afërm dhe miq janë ende në Rripin verior të Gazës, duke vuajtur shumë”, tha Hamouda, baba i tre fëmijëve.

    “Ata po hanë bar dhe po pinë ujë të ndotur”, u shpreh tutje.

    Bllokada nga Izraeli dhe kufizimet në dërgesat e ndihmave nënkuptojnë se stoqet janë jashtëzakonisht të ulëta, duke rritur çmimet dhe duke e bërë ushqimin të paarritshëm për njerëzit në të gjithë Gazën. Mungesat janë edhe më të dukshme në pjesët veriore.

    “Nuk ka ujë të pastër”

    Gihan El Baz vë në djep një vogëlushe të tij duke e përkundur në gjunj, ndërsa ngushëllon fëmijët dhe nipërit e saj, të cilët ajo thotë se zgjohen çdo ditë duke “ulëritur” për ushqim.

    “Në strehimore, nuk ka ushqim të mjaftueshëm, dielli perëndon mbi ne dhe ne nuk kemi ngrënë as drekë”, tha për CNN El Baz, që jeton me 10 të afërm brenda një tende të dëmtuar në Rafah. Ajo kujdeset për bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se është rrëzuar dhe ka thyer krahun teksa iu morën mendtë nga lodhja.

    “Nuk ka pije, nuk ka ujë të pastër, nuk ka banjë të pastër, fëmija qan për një biskotë dhe ne nuk mund të gjejmë as edhe një gjë për t’i dhënë asaj”, u shpreh ajo.

    Hamouda, punonjësi shëndetësor i zhvendosur në Rafah, baba i fëmijëve i tre fëmijëve – gjashtë, katër dhe dy vjeç – thotë se i ushqente fëmijët me përzierje frutash dhe perimesh, biskota, lëngje të freskëta, mish dhe ushqim deti. Këtë vit, tha ai, familja mezi ka ngrënë një vakt në ditë, dhe atë me bukë të thatë.

    “Fëmijët kanë filluar të bëhen të dhunshëm ndaj njëri-tjetrit për të marrë pak bukë”, tha ai. 

    Rritja e rrezikut për të vdekur

    “Shkalla dhe shpejtësia” e urisë së mundshme në Gaza do t’i çojë fëmijët e mbijetuar në rreziqe shëndetësore gjatë gjithë jetës, tha Rebecca Inglis, një mjeke e kujdesit intensiv në Britani që viziton rregullisht Gazën për të mësuar studentët e mjekësisë.

    1000 ditët e para të jetës së një fëmije janë “absolutisht kritike” për rritjen fizike dhe zhvillimin kognitiv, tha Inglis për CNN.

    Fëmijët e kequshqyer kanë një rrezik 11-fish më të lartë të vdekjes në krahasim me fëmijët e ushqyer mirë,  ka treguar ajo.

    Tutje ajo shpjegon se mungesat e vitaminave dhe mineraleve e detyrojnë trupin në një “gjendje mbylljeje emergjente” ku humbet aftësinë për të prodhuar energji, për të shtuar peshë ose për të ruajtur funksionet e veshkave dhe të mëlçisë.

    Fëmijët e kequshqyer, veçanërisht ata me kequshqyerje të rëndë akute, janë në rrezik më të madh për të vdekur nga sëmundje si diarreja dhe pneumonia, sipas  Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Rastet e diarresë tek fëmijët nën moshën pesë vjeç janë rritur me rreth 2,000% që nga 7 tetori,  tha UNICEF.

    Hamouda tha se fëmijët e tij kanë simptoma të diarresë, të ftohtit dhe gripit. “Trupi i fëmijëve është i dehidratuar … lëkura e tyre është e dehidratuar”.

    Në kohë stresi të rëndë, gratë shtatzëna kanë më shumë gjasa të abortojnë ose të lindin para kohe.

    Gaza është shtëpia e 50,000  grave shtatzëna, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

    Foshnjat që mbijetojnë në mitër kanë më shumë gjasa të lindin nën peshë dhe për këtë arsye janë në rrezik më të lartë të vdekjes, tha Inglis. Nënat e uritura dhe të dehidratuara nuk mund të sigurojnë mjaftueshëm qumësht gjiri për foshnjat e tyre./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!