Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kritikoi Europën duke thënë se nuk ishte bashkëpunuese ndaj vendimit për sulmin e armatosur ajror që vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani.
“Britanikët, francezët, gjermanët, të gjithë duhet ta kuptojnë që ajo çfarë bëmë, çfarë Amerika bëri, i shpëtoi jetën shumë qytetarëve europianë. Kjo ishte diçka e mirë për të gjithë botën”, tha ai për Fox News.
Sulmi ndaj komandatit të lartë, kreut të forcës elitare Quds në Iran, ishtë aksioni më provokues ushtarak i SHBA në Lindjen e Mesme që kur ish-presidenti amerikan George W. Bush nisi luftën në Irak në vitin 2003 për të rrëzuar presidentin e atehershëm Saddam Hussein.
Tensionet mes SHBA dhe gjeneralit nisën pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të ushtruar presion ndaj Iranit përmes sanksioneve ekonomike për të braktisur programin e armëve bërthamore, ndërsa Tehrani u kundërpërgjigj me sulme provokuese ndaj ushtrisë amerikane dhe pajisjeve të naftës në rajon.
“Ne e kapëm dhe e ndaluam atë, është diçka e mirë për të gjithë botën”, tha sekretari Pompeo.
Ai gjithashtu shtoi se gjenerali dhe aleatët e tij po planifikonin një sulm.
“Ne nuk mund të flasim shumë për detajet, por mjafton të themi që populli amerikan duhet ta kuptojë se vendimi i presidentit Trump për sulmin ndaj komandantit iranian shpëtoi jetën e shumë amerikanëve”, deklaroi ai më pas.
Për vrasjen e gjeneralit Soleimani në Iran janë shpallur tre ditë zie kombëtare ndërsa udhëheqësi suprem i vendit, Ayatollah Ali Khamenei, është zotuar për hakmarrje ndaj vrasjes së tij duke thënë se “kriminelët i pret një hakmarrje e ashpër”.
Etiketimet