×
  • Lajme
  • Botë

    Pompeo: Regjimi iranian i pajisur me armë bërthamore, rrezik për botën

    Reporteri
    08 Korrik 2019 | 11:47

    Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami, ka thënë se ndalimi i një cisterne iraniane nga Britania, javën e kaluar, ishte një “veprim kërcënues dhe i gabuar”.


    Ministri Hatami, e bëri deklaratën në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, më 8 korrik.

    Më 4 korrik, marinsat britanikë e konfiskuan cisternën e cila dërgonte naftë në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Europian, një veprim që shkaktoi zemërimin e Teheranit dhe mund të përshkallëzoj konfrontimin e tij me Perëndimin.

    Cisterna u konfiskua në Gjibraltar, pasi autoritetet e atjeshme kishin kërkuar ndihmën e ushtrisë britanike.

    Ministri iranian tha gjithashtu se rrëzimi i një droni amerikan muajin e kaluar, dërgoi një mesazh se Teherani do të mbrojë kufijtë.

    Pas rrëzimit të dronit amerikan, tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë në rritje.

    Zyrtarët iranianë kanë thënë se avioni ishte në hapësirën ajrore të tyre ndërsa Uashingtoni ka thënë se avioni po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtare, transmeton REL.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani do të përballet me më shumë sanksione për rritjen e programit të tij bërthamor përtej kufijve të një marrëveshjeje historike të vitit 2015, që Uashingtoni nuk e mbështet më.

    Zëdhënësi i qeverisë iraniane Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran më 7 korrik se “sot ne do të kalojmë” nivelet e lejuara të pasurimit të përcaktuara në marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe vendet evropiane, katër vjet më parë.

    Shtetet e Bashkuara, sërish e kanë paralamëruar Iranin, të mos vazhdojë me programin e tij bërthamor.

    “Zgjerimi i fundit i programit të tij bërthamor nga ana e Iranit, do të çojë në izolim dhe sanksione të mëtejshme. Regjimi i Iranit, i armatosur me armë bërthamore, do të përbënte një rrezik edhe më të madh për botën ” tha sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, përmes Twitterit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!