×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti hungarez e nënshkruan ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO

    Reporteri
    05 Mars 2024 | 21:00

    Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, e ka nënshkruar të martën projektligjin përmes të cilit vendi i tij e miratoi anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, NATO, njoftoi zyra e presidentit, transmeton Radio Evropa e Lirë. 

    Kjo i hap rrugën Suedisë për t’u bërë anëtarja e 32-të e aleancës ushtarake në ditët në vijim.

    Tani, formalitetet e mbetura si, dorëzimi i dokumenteve për anëtarësim në Uashington, pritet të përfundojnë shumë shpejt.

    “Kjo është tejet e rëndësishme dhe shpresoj se ne do të bëhemi anëtarë brenda ditësh, jo brenda javësh. Do të jetë mirë për Suedinë dhe mirë për NATO-n. Do të jetë mirë për stabilitetin në tërë zonën euroatlantike që Suedia mund të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, në një konferencë në Stokholm.

    Në fund të shkurtit, Parlamenti i Hungarisë e miratoi me 188 vota për dhe me gjashtë kundër projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

    Hungaria ishte vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e kishte bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike.

    Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake transatlantike gati dy vjet më parë, e nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

    Anëtarësimi i Finlandës vitin e kaluar dhe tani i Suedisë, e cila nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, përbën zgjerimin më të rëndësishëm të NATO-s prej se ajo pranoi anëtarë të rinj nga Evropa Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.

    Anëtarësimi i tyre është edhe goditje për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili tani përballet me një zinxhir pothuajse të pathyeshëm të anëtarëve të NATO-s në perëndim të vendit të tij, nga Deti i Zi deri në Arktik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!