×
  • Lajme
  • Botë / LAJMI I FUNDIT

    Presidenti i Koresë së Jugut shpall gjendje të jashtëzakonshme: Pezullohet Parlamenti, ndalohen aktivitetet politike dhe censurohet media

    Reporteri
    03 Dhjetor 2024 | 16:57

    Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme me futjen e ligjit ushtarak, duke thënë se masa ishte e nevojshme për të “mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut”, raporton BBC.

    Presidenti Yoon Suk Yeol e bëri njoftimin në një fjalim televiziv natën vonë me kohën lokale. Ai shtoi se masa ishte e nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtetëror.

    Ai tha se vendimi ishte marrë për të hequr forcat pro-koreane nga vendi dhe për të mbrojtur rendin kushtetues liberal.

    Presidenti shtoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të drejtohej në gjendjen e jashtëzakonshme, por në fjalën e tij nuk tha se çfarë masash konkrete do të ndërmerren.

    Sipas ligjit ushtarak ndalohen aktivitetet politike, protestat dhe censurohet media

    “Të gjitha aktivitetet politike janë të ndaluara në Korenë e Jugut pas vendosjes së ligjit ushtarak të martën dhe të gjitha mediat do t’i nënshtrohen monitorimit të qeverisë. Ndalohen rreptësisht të gjitha aktivitetet politike, përfshirë ato të asamblesë kombëtare, këshillave lokale, partive politike dhe shoqatave politike, si dhe kuvendet dhe demonstratat.Të gjitha mediat dhe publikimet do t’i nënshtrohen kontrollit të komandës së gjendjes ushtarake”, tha komandanti i Ushtrisë së Koresë së Jugut Park An-su duke lexuar ligjin ushtarak në një paraqitje publike.

    Me vendosjen e ligjit ushtarak, të gjitha njësitë ushtarake në jug, e cila mbetet teknikisht në luftë me veriun e armatosur me armë bërthamore, janë urdhëruar të forcojnë pozicionet e tyre të gatishmërisë emergjente, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.

    Në anën tjetër, kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Lee Ye Myung, vlerësoi se shpallja e gjendjes ushtarake është antikushtetuese dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të vijnë në ndërtesën e parlamentit. Ai tha se Kuvendi do të tentojë të revokojë vendimin e Jeolit, por gjithashtu shtoi se ushtria me gjasë do të tentojë të arrestojë disa deputetë.

    Ushtria e Koresë së Jugut pezulloi të gjitha aktivitetet e parlamentit të vendit, ndërsa parlamentarëve iu ndalua hyrja në ndërtesën e parlamentit, raportoi Yonhap. Videot në mediat sociale të Koresë së Jugut treguan një numër të madh policësh të armatosur rëndë pranë ndërtesës së parlamentit në lagjen Jeongdeungpo të Seulit.

    Kryetari i Partisë së Pushtetit Popullor në pushtet, anëtar i së cilës është Yeol, Han Dong Hun, tha gjithashtu se do të përpiqet të bllokojë vendimin e Yeol, duke e quajtur atë të gabuar.

    Më parë këtë javë, ligjvënësit e Partisë Demokratike, e cila mban shumicën në parlament, kërkuan shkarkimin e disa prokurorëve në vend.

    Gjatë muajit të kaluar, Koreja e Veriut ndërpreu linjat e energjisë elektrike të instaluara nga Koreja e Jugut për të furnizuar me energji elektrike një park të përbashkët industrial të mbyllur dhe shpërtheu pjesë të rrugëve që e lidhin atë me Korenë e Jugut.

    Më parë, Koreja e Veriut hoqi dritat e rrugëve dhe vendosi mina tokësore përgjatë rrugëve Gyeonggi dhe Donghae, dhe vendosi trupa në anën e saj të zonës së çmilitarizuar, sipas një agjencie të lajmeve të Koresë së Jugut. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!