×
  • Lajme
  • Botë / Sulmet

    Presidenti iranian: Pa përgjigje ndaj Izraelit, rajoni do të shpërthente në luftë

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 17:48

    Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se sulmet e Iranit ndaj Izraelit ishin një akt vetëmbrojtjeje legjitime, në përputhje me Nenin 51 të Kartës së OKB-së. Teksa foli në samitin e liderëve të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, ai paralajmëroi se nëse Teherani nuk do t’i përgjigjej agresionit izraelit, situata do të përshkallëzohej në një luftë të madhe dhe të pakontrollueshme në të gjithë rajonin.

    Gjatë fjalës së tij, Pezeshkian u ndal edhe te sulmet që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer ndaj objekteve bërthamore të Iranit, të cilat ndodhen nën mbikëqyrjen e plotë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

    Ai i cilësoi këto sulme si një shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare dhe si një goditje të rrezikshme ndaj rendit global të mospërhapjes së armëve bërthamore. Presidenti iranian shtoi se në këto sulme janë vrarë civilë të pafajshëm, përfshirë qytetarë të thjeshtë, profesorë universitetesh dhe pjesëtarë të forcave të armatosura jashtë detyrës.

    Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, duhet të tregojë më shumë përgjegjësi për të ndaluar agresionet dhe politikën luftënxitëse të regjimit izraelit.

    Ai theksoi se është koha që të përfundojë njëherë e mirë politika e tolerimit ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut nga Izraeli dhe falënderoi të gjitha vendet që kanë dënuar haptazi këtë agresion.

    Në fjalën e tij, Pezeshkian foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik brenda Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, ku Irani mban statusin e vëzhguesit. Ai e vlerësoi marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e EAEU-së si një hap të madh për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për krijimin e një modeli të suksesshëm bashkëpunimi rajonal.

    Presidenti iranian u ndal edhe te nevoja për zhvillimin e korridoreve moderne të transportit, forcimin e infrastrukturës dixhitale, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe përdorimin e monedhave kombëtare për të shmangur ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se për të përfituar sa më shumë nga marrëveshjet ekzistuese, duhet ndërtuar një sistem financiar i pavarur dhe i qëndrueshëm.

    Në mbyllje, Pezeshkian u shpreh se e ardhmja i përket vendeve që zgjedhin rrugën e bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë, dhe shprehu bindjen se vendet e Unionit Euroaziatik mund ta kthejnë këtë moment në një pikë kthese për rritjen e përbashkët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!