×
  • Lajme
  • Botë

    Princi saudit: Do të investojmë 600 miliardë dollarë në SHBA, Trump: Rriteni shumën në 1 trilion

    Reporteri
    24 Janar 2025 | 10:09

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump foli të mërkurën me princin saudit, Mohammed bin Salman.

    Ishte biseda e parë e Trump me një udhëheqës të huaj që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën. “Të dy liderët diskutuan përpjekjet për të rivendosur stabilitetin në Lindjen e Mesme, për të forcuar sigurinë rajonale dhe për të luftuar terrorizmin”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

    “Ata diskutuan gjithashtu ambiciet ekonomike ndërkombëtare të Mbretërisë së Arabisë Saudite gjatë katër viteve të ardhshme, si dhe tregtinë dhe mundësitë e tjera për të rritur prosperitetin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite”, shtoi deklarata.

    Qeveria saudite ka thënë se synon “të zgjerojë investimet dhe tregtinë e saj me Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme, në shumën prej 600 miliardë dollarësh dhe potencialisht më shumë”.

    Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror dje, Trump e quajti princin saudit një “djalosh fantastik” dhe njoftoi se do t’i kërkonte Arabisë Saudite ta rrisë atë investim në SHBA në një trilion dollarë, raporton NBC news.

    Trump shtoi se ai do t’i kërkojë Arabisë Saudite dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të ulin çmimet e naftës.

    Gjatë këtyre katër viteve, Trump i dha përparësi Arabisë Saudite në misionin e tij të politikës së jashtme, duke vënë veton ndaj përpjekjeve të Kongresit për të ndaluar shitjet e armëve në vend dhe për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake të SHBA-së për Arabinë Saudite në luftën në Jemen.

    Trump gjithashtu mbrojti qeverinë saudite edhe pasi CIA arriti në përfundimin se bin Salman urdhëroi personalisht vrasjen e Khashoggi, një kritik i ashpër i qeverisë së tij./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!