Protestat anti-qeveritare kanë nxitur përleshjet mbarëkombëtare në Bangladesh mes policisë dhe studentëve të universitetit, shkruan BBC.
Të paktën 150 persona janë vrarë – disa prej tyre janë vrarë nga policia.
Një student ka thënë se protestuesit në kryeqytetin Dhaka dëshironin të mbanin tubim paqësor, por policia e “shkatërroi” duke i sulmuar ata në momentin që janë tubuar.
Lideri studentor që tani po këndellet në spital, ka rrëfyer se si i ishin mbyllur sytë dhe ishte torturuar nga njerëzit që pohonin se ishin policë.
Ndërkohë, emergjenca ka deklaruar se dhjetëra të rinj kanë plagë nga plumbat, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Forcat e sigurisë janë akuzuar për përdorim të tepruar të forcës, por qeveria ka fajësuar kundërshtarët politikë për këto trazira, të cilat kanë nisur pasi janë vendosur kuotat për punët qeveritare. Shumë prej këtyre kuotave janë hequr nga Gjykata Supreme.
Internet nuk ka pasur që prej të enjtes së kaluar, duke pamundësuar qarkullimin e informacioneve, ndërkaq, është vendosur edhe orë policore që mbikëqyret nga mijëra ushtarë.
Dhuna është sfida më serioze e Sheikh Hasina, 76-vjeçare, që në muajin janar siguroi mandatin e katërt rresht si kryeministre. Zgjedhjet u bojkotuan nga partitë kryesore të opozitës.
Studentja Raya (nuk është emri i saj i vërtetë), ka thënë se protesta është përkeqësuar nga policia.
“Policia sulmoi studentët duke hedhur gaz lotsjellës. Në atë moment, disa studentë i kapën dhe i hodhën në drejtim të policisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka rrëfyer se më vonë policia ka nisur të përdorë plumba të gomës, duke plagosur dhjetëra prej studentëve.